Nga Gazeta ‘Si’– Protestën që po mbahet sot, dhe që sipas kreut të PD do të jetë e vazhdueshme, Sali Berisha e quajti foltorja e dytë.
Ai zbuloi ‘misionin’ e ‘Foltore 2’, që sipas tij është të “shpëtojë Shqipërinë nga regjimi”.
“Shumë kanë pyetur por çfarë është kjo foltore? Kjo platformë? Nuk është gjetje origjinale e PD, një platformë e tillë në një fushë tenisi transformoi Francën dhe Europën gjatë revolucionit. Foltorja me qytetarët e çliroi opozitën, foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrani të shqiptarëve.
Foltorja u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë. Foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit”, tha ai.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e kishte paralajmëruar prej ditësh protestën para zyrës së Kryeministrit, duke e cilësuar atë si “ditën e parë të parlamentit për qytetarët”.
Në një komunikim virtual, ai sqaroi se protesta do të shërbejë si një “foltore parlamentaro-qytetare”, që do të mbahet një herë në javë përpara Kryeministrisë.
Sipas tij, deputetë dhe qytetarë do të kenë mundësinë të shprehin publikisht shqetësimet e tyre. Berisha shtoi se opozita po projekton edhe protesta të tjera, të cilat do të zhvillohen “në kohën e përshtatshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



