Politike

Berisha zbulon emrin: Florian Binaj, kandidati i opozitës për Tiranën

Nga Gazeta ‘Si’– Partia Demokratike ka vendosur që në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për bashkinë e Tiranës të mbështesë kandidaturën e aktorit, Florian Binaj.

Në një komunikim me mediat, Berisha theksoi se ky vendim vjen pas një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku janë shqyrtuar kandidatura nga brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Berishës, Binaj është kandidatura që plotëson kushtet.

“Një personalitet me reputacion të gjerë, tek i cili gjejnë veten më shumë se kushdo tjetër të përfaqësuar qytetarët e Tiranës.

Florian Binaj është nga ata artistë që konsideron kauzat qytetare si kauza të tij dhe të gjithë ju jeni dëshmitarë të betejave që ka bërë së bashku me të tjerët në mbrojtje të këtyre kauzave”, tha Berisha.

Berisha tha se ai është në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit, ndërsa ftoi aleatët dhe qytetarët ta mbështesin këtë kandidaturë.

Aktori dhe aktivisti Florian Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, të dielën e 5 tetorit.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Binaj thekson se vendimi i tij vjen pas më shumë se dy dekadash përfshirjeje në çështje publike me interes kombëtar dhe nga dëshira për t’i rikthyer qytetit një drejtim të pavarur nga politika partiake.

“Si një artist i përfshirë në çështje publike prej 22 vitesh, si një kryefamiljar i rritur në një kryeqytet që ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit, ndiej nevojën që Tirana të ketë në drejtim një figurë që nuk është gjymtyrë e asnjë partie,” deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë