Drejtësia

Berisha zbaton masën e sigurisë me kapelen e fushatës dhe sulmon SPAK: Po keqpërdoret nga Rama

Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ishte në ambientet e SPAK këtë të hënë, në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ku është marrë i pandehur për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Ndryshe nga herët e tjera, ai u fut në godinën e Prokurorisë së Posaçme me aksesorin e kësaj fushate tashmë, kapelen me numrin 1.

Sipas Berishës, SPAK po keqpërdoret nga Rama me qëllim që të sigurojë mandatin e katërt duke sulmuar opozitën.

“Keqpërdorimi i SPAK është strategji e Ramës për të goditur opozitën shqiptare. Është pjesë e projektit të tij makabër për të marrë një mandat të katërt”- u shpreh Berisha mes të tjerash.

Ai shpjegoi se kishte ardhur, “pa përtesë, vij çdo dy javë sepse ardhja ime shërben si një dëshmi e përbotshme e keqpërdorimit politik të drejtësisë nga narko-trafikanti Edi Rama. Hetimi shterrues 4-vjeçar siç e ka quajtur Skapi, familjar i Sali Berishës, ka provuar se familjarët e tij s’kanë përfituar kurrë asnjë favor dhe kursimet e tyre kapin vlerën e 100 mijë eurove dhe 40 m2, një apartament më i madh se ai që kishte në diktaturë. Kjo është pjesë e strategjisë së Ramës për të goditur opozitën shqiptare, projekti i tij për të marrë mandatin e 4-rt”, deklaroi Berisha.

Ndau shënimin që i kishte lënë kreut të SPAK, lidhur me atë që ai e konsideron “afera e tmerrshme e McGonigal”.

“Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar! E garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk do mundë ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme. Tani, McGonigal çdo ditë në qeli i çon mesazhe Edi Ramës. Unë vërtet i mora, por paratë m’i dhe ti. Pritet vota e shqiptarëve më 11 Maj, që Rama të shkojë te McGonigali, mbase një javë më vonë”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë