Politike

Berisha: Vjedhje shtetërore! Xhaçka: Nuk u cenua siguria kombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha, flet për një skenar shtetëror në lidhje me grabitjen e milionave euro katër ditë më parë në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Ai ka akuzuar anëtarët e qeverisë dhe kryeministrin Rama se kanë përgjegjësi për ngjarjen, ndërsa theksoi se nuk do të ketë persona të arrestuar.

“Kjo është një vjedhje paraelektorale, e organizuar nga segmente të caktuara të shtetit. Me të njëjtët skenarë të 2016, – tha ai në “Ora News”. – Me një falimentim të shtetit. Me një precizion të jashtëzakonshëm, i cili mund të realizohet me një pjesëmarrje të elementeve të sigurisë së Aeroportit në Autoritetitn e Avizacionit Civil. Është një skenar shtetëror. Se s’ka banditë në botë që të organizojë dy herë të njëjtin skenar në botë”.

Pas vendimit të ministres Olta Xhaçka, për vendosjen e Forcave të Armatosur dhe Ushtrisë në aeroport, Berisha tha se mënyra se si po përdoret ushtria është një rrugaçëri.

“Ushtria mund të përdoret. Por mënyra se si po përdoret ushtria është një rrugaçëri. Mund të dërgohej në aeroport me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit. Duhet të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe le të përdorej ushtria. Këta kanë për shef shtabi, një turp dheu, që me nxjerrjen e ushtrisë kryen tradhti kombëtare”.

Berisha kujtoi se Sandër Lleshaj ka qenë kryetar i Bordit të Aviacionit Civil dhe në dijeni të gjithë problematikave të sigurisë në aeroport por preferoi të marrë thjesht rrogën dhe nuk mori asnjë masë.

“Vjedhjen e kaluar u kapën dy tenxhere me presion dhe milionat përfunduan në fushatë. Kurse këto 48 orë shqiptarët kanë parë në ekrane jo vetëm hajdutët  në rampën e avionit që nxirrnin nga barku i avionit arkat por njerëz ordinerë. Ndër më ordinerët në pushtet që njëri pas tjetrit deklaronin se përgjegjësia është e kinezit dhe se ata nuk ndjenin asnjë lloj përgjegjësie pavarësisht se vasal kimiku siç po e quajnë rëndom tani Ministrin e Brendshëm ka qenë kryetar i Bordit të Aviacionit në kohën kur ishte Gjeneral kanabis pranë Noriegës së Shqipërisë”, – u shpreh ish-kryeministri.

Sipas Berishës atij do t’i jepen 100 mijë euro, do t’i sigurohen vetëm dy vite burg dhe më pas do ta nxjerrin.

“Nuk mund të ketë të arrestuar. Do presim dhe disa ditë sa të gjejnë dëshmitarin e rremë. Ti japin 100 mijë euro, të bëjë nja dy vite burg dhe të dalë. Furgoni i asaj policie nuk ka marrë një gërvishtje, por le të presim, por faktikisht Murati është ekzekutuar me një plumb në kokë. Plumbin ky narkoshtet do ta çojë nga të dojë”.

Sa i takon protestës së paralajmëruar nga opozita në 13 prill, ish-kryeministri shtoi se do të jetë më e madhja që ka parë Shqipëria deri më sot. Ai ftoi kryeministrin Rama të qëndrojë në zyrë ditën e shtunë.

Xhaçka këmbëngul: Nuk kemi cenim të sigurisë kombëtare

Grabitja e armatosur në Rinas e rreth 10 milionë eurove është cilësuar një ngjarje e rëndë edhe nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Megjithatë, ajo është përpjekur ta zbutë disi, duke thënë se nuk është e jashtëzakonshme, aq sa për të rritur nivelin e alarmit.

Edhe vendimin për të dislokuar ushtrinë për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit, ministrja Xhaçka tha se ishte marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Është dërguar Policia Ushtarake, për të cilën ka kuadër tjetër ligjor nga dërgimi i Forcave të Armatosura”, tha ministrja në emisionin “Open”.

“Nuk bëhet fjalë për cenim të sigurisë kombëtare. Nuk është prekur siguria kombëtare, është një term shumë i gjerë, kjo përfshin shumë elementë, është një ngjarje e përsëritur, të gjithë faktorët duhet të nxjerrin përgjegjësitë e tyre”.

Xhçka i qëndroi vendimit të saj se nuk e shihte të arsyeshme ligjërisht për t’u konsultuar me Presidentin Ilir Meta.

“Nuk kam nevojë të konsultohem me Presidentin, sepse nuk kemi të bëjmë me asgjë që kemi të bëjmë me Kushtetutën, nuk jemi në rast lufte, nuk kemi ndryshim të nivelit të sigurisë, nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme, në të kundërt, do të kishim ndërhyrjen e Kuvendit”, – u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë