Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar ditën e sotme pamje dhe shifra, që sipas tij vërtetojnë se nga qeveria u dhanë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediat, Berisha tha se raporti i delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet ishte një damkosje e asaj që ish-kryeministri e cilëson si farsë zgjedhore.
Berisha shtoi gjithashtu se sipas tij qeveria Rama përdori lloj lloj metodash për të ndërhyrë dhe deformuar procesin zgjedhor të 11 majit.

“Në rastin konkret, sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta.
Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi.
Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht! Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh.
Kjo tabelë paraqet totalin e legalizimeve pikërisht në harkun kohor të ndaluar me ligj.
Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116. Në total janë dhënë 6 mijë legalizime”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.