Politike

Berisha: Situata në arsim, e mjerueshme, faj edhe opozita   

Ish-kryeministri, Sali Berisha atakoi gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë rektorin e Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, duke e quajtur atë një ish-hetues të komunizmit.

Berisha tha ndër të tjera se situata në arsim është e mjerueshme

“Rrogat e pedagogëve janë të mjerueshme. Sot absolutisht çdo profesor merr të paktën 200 mijë më pak, po të zbresim inflacionet se sa merrte në vitin 2013.

Të gjitha këto kanë sjellë një rrënim të arsimit në të gjitha ciklet. Investimi, financimi në fushën e shkencës është 27 herë më i ulët se mesatarja e vendeve të OSBE-së. Është qesharak. Po ju them një gjë dhe më vjen keq që e them këtë. Diktaturë ishte, por ai që kishte një projekt ja miratonte zëvendës dekani dhe ai e merrte përsipër në të gjitha instancat financimin, se dhe në atë kohë me shpenzime ishin.

Sot 99% e pedagogëve nuk kanë akses në financimin e punëve shkencore. Kanë akses vetëm klientela e rektorit që është gjysmë polic, gjysmë rektor. Kështu është ajo, një ish-hetues i diktaturës nuk mund të jetë rektor. Ai nuk plotëson asnjë kusht, përveç lidhjeve me Edi Ramën që të jetë rektor. Është një fyerje e madhe për botën akademike shqiptare. Atë mere çoje në Akademinë e Policisë, por jo rektor të universitetit kryesor të vendit.

Pedagogët nuk kanë financim për punimin shkencor shumë pak dhe ato ndahen me një mungesë transparence”, tha ndër të tjera Berisha.

Berisha tha gjithashtu se lëvizja për universitetet nuk i realizoi qëllimet për shkak se opozita nuk kishte besimin e tyre.

“Lëvizja për universitetet para disa vitesh nuk i realizoi qëllimin për shkak se opozita nuk kishte besimin e tyre. Të rinjtë nuk i besonin opozitës.

Nëse do i besonin, opozita do e përmbushte misionin e vet. Opozita nuk kishte qenë avokate e të drejtave të tyre. Kjo situatë ka marrë fund dhe ne do përkrahim çdo përpjekje të studentëve për të ndaluar një rrokullisje me pasoja të rënda për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë