Politike

Berisha thirrje shoqërisë: Mos qëndroni pasiv, bashkojuni më 7 korrik (Renis Gjoka këngë për protestën)

Në tryezën e tretë të kryetarit të Partisë Demokratike me përfaqësues të Shoqërisë Civile, ku u promovua edhe libri “Shqipëria në rrezik – çfarë mund të bëjmë”, Sali Berisha kërkoi zgjimin e qytetarëve ndaj qeverisjes aktuale.

“Kemi të bëjmë me një person dhe një qeveri, që në mënyrë absolute për të cilin, qytetarët shqiptarë nuk ekzistojnë, apo ekzistojnë vetëm për t’u vjedhur, për t’u mashtruar, për t’u nënshtruar. Këto përgjigje do të japë protesta nesër dhe në vazhdim. Klima, entuziazmi është shumë i madh, pakënaqësia është e pakufishme. Le të ftojmë ne, le të bëjmë gjithçka për të shndërruar protestën tonë dhe mesazhin tonë në një magnet për shoqërinë e heshtur shqiptare. Për atë shoqëri që ndjek me dëshpërim të madh këto zhvillime, por duhet të vendosë të reagojë, duhet të heqë dorë nga pasiviteti dhe ‘ç’më duhet mua?’;. Duhet të ngrihemi për t’i thënë këtij autokrati se kohërat i ke të numëruara”, tha Berisha gjatë tryezës.

Më herët Berisha publikoi edhe një këngë që do të shoqëroje protestën e të enjtes “Zgjohu”, një këngë e përpunuar e këngëtarit Renis Gjoka dhe Big Bastës me titull të hershëm ‘Tunde diktatorin’

Në tryezë ishin edhe politikanë si Nard Ndoka apo eksperti Ilir Alimehmeti. Nuk i mungoi tryezës as Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Brahimllari.

“Ka shumë arsye pse duhet të protestojmë më datë 7 korrik. E parë nga çmimet e larta të cilat po vrasin çdo ditë familjet e shqiptarëve. Korrupsioni dhe abuzimi i tmerrshëm me aferën më të madhe korruptive të bërë ndonjë herë në një vend, atë të inceneratorëve të cilën e ka vazhduar ta denoncojë dhe këto ditë kryetarja e LSI.

Rritja e çmimit të karburantit me porosi të oligarkëve të Rames dhe në kurriz të qytetarëve”, tha Braimllari.

Qëllimi i protestës sipas tij do të jetë dorëheqja e Edi Ramës. Berisha është pyetur disa herë nëse protesta do të synojë kryeministrinë, por ai po aq herë nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e lënë me gjasë këtë skenar në një kohë tjetër,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë