Politike

Berisha thirrje qytetarëve: Të gjithë marshim drejt Tiranës! Mosbindje masive civile. Nuk pajtohemi kurrë me diktaturën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka barë sërish thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e thirrur nga opozita të më 7 tetor në Tiranë.
Në tubimin në Rrugën e Shpresës, Berisha u shpreh se PD në misionin e saj të rikthimit të votës së lirë, të rikthimit të Shqipërisë në një vend të shtetit ligjor, nis ditën e hënë betejën e saj.

“Liria ka një emër, ajo quhet votë e lirë. Ndaj dhe koha na fton të gjithëve, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të moshuar, të gjithë sa jemi, të shndërrohemi në luftëtarë të votës së lirë” tha Berisha.

Ndër të tjera, kreu i PD-së tha se mosbindja civile vjen si një betim për të mos u pajtuar kurrë me diktaturën që riktheu farsën elektorale në Shqipëri.

“Ditën e hënë në ora 18:00, të gjithë marshim drejt Tiranës për votën e lirë, për fjalën e lirë, për fatin e shqiptarëve, për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.

Pjesë nga fjala e Berishës:

“PD në misionin e saj të madh dhe historik të rikthimit të votës së lirë, të rikthimit të Shqipërisë në një vend të shtetit ligjor, Kushtetutës dhe ligjeve demokratike, nis ditën e hënë betejën e saj, betejën e shekullit, betejën e ekzistencës, betejën e triumfit, betejën e fitores. Demokrate e demokratë, koha i bën thirrje ndërgjegjes tuaj.

Burra dhe gra, të rinj dhe të reja që keni qëndruar të papërkulur në opozitë gjer sot, që keni përjetuar grabitjen e votës, plaçkitjen e votës, dhunimin e vullnetit tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë dhe që besoni se njeriu i qytetëruar e ka detyrim moral betejën e tij për të vërtetën, e ka detyrim madhor të mos pranojë mashtrimin për të vërtetë, të mos pranojë kurrë farsën elektorale për proces elektoral, të mos pranojë kurrë fitoren e grabitur si fitore të kundërshtarit, e ka për detyrë dhe mision që në emër të këtyre të vërtetave të ngrihet i gatshëm për këto sakrifica.

Liria ka një emër, ajo quhet votë e lirë. Ndaj dhe koha na fton të gjithëve, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të moshuar, të gjithë sa jemi, të shndërrohemi në luftëtarë të votës së lirë.

Dallimi më thelbësor midis njeriut të lirë dhe mjeranit jo të lirë qëndron pikërisht në respektimin e vullnetit të individit.

Kështu që beteja që nisim, mosbindja civile vjen si një betim për të mos u pajtuar kurrë me diktaturën që riktheu farsën elektorale në Shqipëri.

Vjen si një betim për të mos pranuar kurrë fitore, grabitjen dhe kallp fitoren e Edi Ramës. Vjen si një zotim, si një betim për të mos pranuar kurrë persekutimin, burgosjen, përndjekjen politike, shkelmimin e Kushtetutës, zëvendësimin e ligjeve me kodin e mafies, me kodin e baronëve të drogës dhe krimit në Shqipëri.

Kuptojeni vetë ju se çfarë rëndësie jetike, vendimtare ka beteja e deputetëve të PD në parlament. Frymëzim është ajo betejë për të gjithë shqiptarët. Edhe njëherë, miqtë e mi, ditën e hënë në ora 18:00, të gjithë marshim drejt Tiranës për votën e lirë, për fjalën e lirë, për fatin e shqiptarëve, për të ardhmen e Shqipërisë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë