Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferencën për mediat akuzoi qeverinë për nivelin e lartë për taksimin e litrit të naftës, që është sa 60% e çmimit.
Berisha tha se duhet që urgjentisht sipas tij të përgjysmohen taksat mbi karburantet në nivelin që ka Maqedonia dhe Kosova. Ky nivel, sipas tij, është më i lartë në botë dhe ndëshkon qytetarët.
“Kështu që krahas përgjysmimit të nivelit të taksimit të litrit të naftës, e domosdoshme kjo, nuk ka një vend në botë, nuk ekziston asnjë vend tjetër në botë që të ketë taksuar litrin e naftës 60 përqind të çmimit me të cilin shitet.
Prandaj ulja me urgjencë e kësaj barre fiskale është e domosdoshme për të parandaluar sadopak, për të amortizuar sadopak pasojat shumë të rënda të efekteve të rritjes së çmimit të naftës”, tha Berisha.
Më tej, Berisha deklaroi se Rama sipas tij mashtroi pensionistët me bonuset. Berisha vlerësoi se rritja stratosferike e çmimeve ka prekur rëndë këtë shtresë.
Sipas tij, skema e bonusit, e përdorur në zgjedhjet e 11 majit, pas zgjedhjeve po faktohet një mashtrim i vërtetë.
“Kanë kaluar kaq muaj dhe pensionistët nuk kanë marrë një qindarkë nga fondi i depozituar në Bankën e Shtetit prej 240 milionë eurosh para të pashpenzuara gjatë vitit 2025.
Sipas vendimeve të qeverisë dhe premtimeve, ato do u disbursoheshin si bonus pensionistëve.
Asnjë qindarkë nga ky fond gjer sot nuk është disbursuar, çka do të thotë se ai po përdoret nga qeveria për qëllime të tjera dhe po ruhet që t’u jepet në fund të vitit. Së dyti, skema e bonusit është mashtrim pasi në këtë skemë mbi 45 përqind e pensionistëve nuk marrin asgjë, ose marrin thërrime, marrin dy kile domate apo tre kile tranguj”, deklaroi Berisha.
Në fund, Berisha ftoi qytetarët që të dalin në protestë në 17 prill, teksa tha se kjo datë do të shënojë tubimin më të fuqishëm që është mbajtur ndonjëherë, kundër mazhorancës socialiste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje