Gazeta Si – Sali Berisha e ka cilësuar një akt kriminal amendamentin e propozuar nga kryeministri Rama, ku prezantoi para grupit parlamentar socialist ndryshimet ligjore që frenojnë gjykatat të pezullojnë ministrat e qeverisë.
Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme, ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si i pandehur pëe aferën “Partizani”, Berisha deklaroi se ky projektligj përbën goditjen më të rëndë që i bëhet shqiptarëve, duke i mbyllur dyert e integrimit në BE.
“Ky është akti më i rëndë, më kriminal, më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Edi Rama guxon të marrë, – u shpreh kreu i PD. – Me këtë akt të pashembullt në historinë e botës, Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale, ministrat, qëndrojnë mbi ligjin, qëndrojnë mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen. E vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot dhe kjo është goditja më e rëndë që i bëjnë shqiptarëve, që i bëjnë shtetit ligjor, është mbrojtja më e fuqishme ndaj sistemit të korrupsionit që kanë vendosur. Qytetarët duhet ta dinë, pas anulimit me ligj të këtij funksioni të prokurorisë speciale, prokurorëve nuk u mbetet gjë tjetër veç imunitetit. Në këtë rast, unë e paralajmëroj atë se do paguajë çmimin më të shtrenjtë dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti i pafytyrë është ky”.
Berisha më pas deklaroi se ish-kreu i SPAK-ut, Altin Dumani kishte urdhëruar hetim 30-vjeçar ndaj tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Mercenarit të Edi Ramës dhe partisë së krimit, avokatit të Irenës me 5 mbiemra, drejtësia vonon por nuk harron. Kush e do nga ju këtë? (tregon një letër)”.
Ish-kryeministri shpjegoi para mediave, se ish-kreu i SPAK kishte urdhëruar një hetim familjar, përfshirë dhe mbesat e tij.
“Tani këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini, për të gjitha 16 institucione, për të hetuar Sali Berishën dhe mbesat e tij edhe 4 vite para lindjes së tyre, dërguar çdo institucioni pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Edi Ramës që tha që ‘SKAP’-I duhet të hetojë dhe ndëshkojë Sali Berishën. Kjo është lista, brenda një dite ata kanë kërkuar hetim 30-vjeçar. Nuk ka lidhje me dosjen, dosja është piramidë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



