Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në seancën e sotme plenare i quajti zyrtarët e Partisë socialiste përfaqësues të “së keqes banale”, duke iu referuar teorisë së filozofes gjermane Hannah Arendt.
Ai akuzoi mazhorancën nga foltorja e Parlamentit se sipas tij po bëhet shërbëtore, avokate dhe mbrojtëse e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke mos ia dorëzuar drejtësisë për akuzat që i janë ngritur nga SPAK dhe GJKKO.
“E keni të shkruar secili prej jush në ballë. Ja, po të lexoj unë në ballet tuaja, lexoj e keqja banale, me të cilën ju në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin, bëheni shtylla të sistemit të gjakpirjes së qytetarëve.
Ju bllokoni heqjen e imunitetit të një njeriu, që të paktën 1.2 miliardë me këto dosje gjer tani, me patronin e saj ua ka vjedhë shqiptarëve. Çfarë thotë Arendt janë personazhet e të keqes banale?
Njerëz që nuk mendojnë. Automatë që nuk mendojnë. Nuk ndjejnë përgjegjësi.
T’u bëj një pyetje tani: a jeni secili prej jush prej tyre tani në këtë moment që mbroni Ballukun? Si u duket vetja juaj?
U kërkoj të lexoni sa të dilni nga kjo seancë të keqen banale dhe të shihni se si jeni prototipi i saj. Po si ka mundësi? Po ç’të lidh ty që po të nxirrte nga partia, që të mos ngresh zërin tani?
Mirë kjo tjetra që ia ka falur shpirtin dreqit, nuk kam çfarë them për të, por ju të tjerat që bëheni avokate të saj? A e kuptoni ju se ç’do të thotë të bllokoni imunitetin e një njeriu?
A e kuptoni se ç’do të thotë të përdorni imunitetin si mburojë për vjedhjen e shqiptarëve?”, tha Berisha.
Më tej ai vijoi akuzat ndaj socialistëve dhe kabinetit qeveritar që mbrojnë të korruptuarit. Madje theksoi se qytetarët lihen në varfëri dhe të përmbyturit nuk kompensohen dhe lihen në mëshirë të fatit.
“Çfarë jeni ju? E keqja banale! Edhe njëherë, si e pranoni ju të keqen banale, ku është? Ja, ky këtu, (kthehet pas nga foltorja e ministrave), ja ky këtu bën avokatin e ministrit. Po a keni përgjegjësi ju, a ndjeheni të përgjegjshëm ju? A bëtë ndonjë reagim për mijëra familje të përmbytura në Durrës dhe nuk ju keni dhënë asnjë shpërblim? A jeni ju e keqja banale? Ju jeni e keqja banale, keni lënë 6 mijë të përmbytur pa asnjë kacidhe. Ju nuk ndjeni përgjegjësi, por zbatoni direktivat e Ramaduros”, vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



