Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi publikimin e dosjes McGonigal nga Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një aferë që vazhdon të marrë vëmendje ndërkombëtare.
Berisha theksoi se në këtë dosje emri i kryeministrit Edi Rama, i cilësuar prej tij si kreu i “organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar,” përmendet në mënyrë të përsëritur dhe me pasoja shumë negative.
“Mediat më të mëdha botërore janë rikthyer me tituj goditës, që nxjerrin në pah lidhjet e Edi Ramës me Charles McGonigal, mikun e tij që e bëri krenar me miqësinë e tyre,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, raporti i Inspektorit të Përgjithshëm, pjesë e të cilit është publikuar, zbulon një lidhje të ngushtë mes Ramës, këshilltarit të tij Dorian Duçka dhe një konglomerati energjetik kinez, duke e përfshirë kryeministrin në një aferë korruptive dhe spiunazhi të rëndë.
Berisha theksoi gjithashtu se Rama ka përdorur McGonigal për të ndikuar në skenën politike shqiptare, duke i hequr licencën një kompanie ruse dhe ia dhënë një tjetër, duke e paguar më pas me 225 mijë dollarë për shërbime kundër opozitës.
“Edi Rama, siç e dini ju, nga dokumentet e tjerë, është personi që me kërkesën e McGonigal, i hoqi licencën një kompanie ruse dhe ia dha një kompanie tjetër ruse dhe kjo është e faktuar plotësisht.
Edi Rama përdori McGonigal kundër opozitës shqiptare dhe e pagoi atë për këto veprime, siç kanë njoftuar mediat ndërkombëtare, por edhe dokumentet amerikane, e pagoi me 225 mijë dollarë.
Edi Rama e përdori kundër opozitës shqiptare pasi ai dërgoi në Vjenë ministër me avion të posaçëm Tiranë-Zyrih-Vjenë, anëtarë kabineti, Tom Doshin, Durim Bamin dhe McGonigal arriti të emërojë një prokuror federal që do të dëgjonte të akuzuarin Durim Bami për atentat ndaj Tom Doshit.
Në fakt është vërtetuar se prokurori pas 4 orësh pyetje me Durim Bamin, ka deklaruar sapo ka mbyllur seancën se nga fjala e fundit thoshte vetëm mashtrime”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



