Në një bashkëbisedim me ndjekësit në Facebook, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se PD nuk do të njohë kurrë një proces i bazuar në votën e vjedhur, kur u pyet se cfarë do të bëjë opozita për të mbrojtur vullnetin e drejtë të qytetarëve në zgjedhje.
Berisha nuk dha gjithashtu një datë kur u pyet për protestën e radhës por përsëriti disa herë domosdoshmërinë e një revolucioni në vend. Më shumë sesa një përgjigje konkrete se kur mbahet protesta e radhës, Berisha u fokusua tek problematika kryesore në parti ajo për vulën dhe qëndrimin e deritashëm të gjykatës.
“Ne jetojmë sot në kushtet e një monizmi të plotë. Ku një njeri, në traditën më të zezë të etërve të tij, në një etje të pashuar për pushtet dhe pasuri, ka vënë nën kontroll të gjitha pushtetet.
Edi Rama sot, kontrollon 10 përqind më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991.
Edi Rama, për të dhënë një goditje përfundimtare të pluralizmit politike, përpiqet në mënyrën më antikushtetuese, të pengojë PD-në për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit, duke mbajtur peng vendimin e gjykatës, me të cilin normalisht asnjë kryeministër, në asnjë vend, nuk ka asnjë lidhje”, tha ai.
“Të dashur miqtë e mi, me datën 25 mars, gjykata e Tiranës mori në shqyrtim dosjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, të rithemelimit të PD-së.
Ajo gjeti gjithçka në përputhje me ligjet e vendit. Që në këtë vendim, të nesërmen e zbardhjes së tij, në mënyrë automatike, ky vendim regjistrohet në regjistrin e partive politike. Në çdo vend të lirë, kur një grup njerëzish vendosin të krijojnë një shoqatë apo parti, hartojnë statutin, firmosin dokumentin dhe gjykata vlerëson përputhjen e tyre me ligjin.
Ky vendim dhe asnjë element tjetër, realizon automatikisht regjistrimin ne regjistrin e partive dhe shoqatave. Kur partitë ndryshojnë statutin, programin, këto ndryshime ato janë të detyruara t’i dërgojnë në gjykatë. Këtë bëri PD, dhe gjykata pasi i vlerësoi, i gjeti ligjore.
Pra, kemi marrjen peng të vendimit të gjykatës, nga data 25 mars, gjer sot.
Me qëllimin e vetëm të pengojë pjesëmarrjen e PD në zgjedhje. Ose të detyrojë PD-në të veprojë siç veproi para vendimit të gjykatës. Ne krijuam një koalicion dhe morëm një emër tjetër në koalicion. Por nuk kishim vendimin e gjykatës”, vijoi Berisha.
Sipas tij, pas vendimit të gjykatës, PD nuk ka asnjë pengesë për tu regjistruar..
“Në këtë kontekst, ne nuk do pengohemi. Ne jemi forca kryesore politike e vendit. Ai kërkon të hakmerret ndaj PD, për pushtetin e etërve të tij.
Unë dua t’u rikujtoj se me 11 dhjetor 1991, u mblodh plenumi i partisë për të shqyrtuar ultimatumin e studentëve. Në atë mbledhje, një njeri më shumë se kushdo tjetër, ka kërkuar përdorimin e armëve, futjen e tankeve ndaj studentëve, dhe ky është dajo i Ramës, Spiro Koleka.
Kjo ishte urrejtja familjare patologjike ndaj pluralizmit në këtë familje bllokmenësh.
Në këtë kontekst, ju garantoj se ai do pësojë fatin e etërve të tij dhe demokratët nuk mposhten kurrë.
Demokratët janë forca politike që udhëhoqi revolucionin demokratik të viteve ’90, përmbysin sistemin komunist, hodhi themelet e tregut në Shqipëri, realizoi demokraci funksionale të certifikuar nga ndërkombëtarët, anëtarësuan Shqipërinë në NATO, firmosën MSA, anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, hoqën vizat dhe morën rekomandimin e BE për statusin kandidat.
Por mbi të gjitha, bënë avokatinë e çështjes kombëtare, e vërteta është se pavarësia e Kosovës u shpall në Tiranë nga presidenti Bush në vizitën e tij historike.
Demokratët bënë gabime, por i korrigjuan ata. Ata ia dolën që qytetarët shqiptarë të kenë rrogat më të larta në rajon, edhe se bullgarët dhe rumunët.
Kjo trashëgimi fton çdo demokrat të qëndrojë fuqishëm. Protestat e fuqishme do jenë një drejtim themelor me të cilin ne synojmë të dridhim themelet e këtij regjimi të bazuar mbi krimin, vjedhjen dhe drogën”, tha ai pa përmendur datë. Nuk shmangu nga vemendja edhe situaten politike ne parti
“Tani duhet të them dy fjalë: çfarë tregojnë zhvillimet e kësaj force politike? Zhvillimet treguan se udhëheqja e saj ishte marrë peng. Bënte biznes me Edi Ramën. Se Lulzim Basha ishte marrë peng. Se Alibasha është peng. Ju garantoj se pengjet nuk ka forcë në botë që t’i çpengojë.
Ndaj duhet të dallojmë demokratët nga pengjet. Të tjerë tek-tuk ndjekin tenderat dhe të fituarit në mënyrë të pandershme.
Ata nuk mbrojnë interesat tuaja, nuk mbrojnë interesat e demokratëve”.
Berisha nuk hoqi dorë as nga akuzat për ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
“..Ju ftoj që të mos i besoni asgjë asaj. Ajo, fatkeqësi e madhe që rastisi ambasadore në 100-vjetorin e marrëdhënieve tonë dhe punoi për të dëmtuar reputacionin e vendit të madh të lirisë. Dhe ia arriti. Gjithçka e bëri për dosjen e saj dhe interesat e saj personale.
Ajo mashtroi qeverinë e vet. Mblodhi gënjeshtrat e Edi Ramës, Bashës, Ballës, Veliajt dhe i transferoi. Të gjitha të fabrikuara nga mediat e Sorosit. Të gjitha i dolën gënjeshtra.
Ajo bëri gjithçka që PD të mos ishte kjo që është. Ajo bëri gjithçka që të caktonte kryetarin e PD.
Pasi i doli bomba e parave sovjetike me Bashën, u kthye te Alibasha.
Të vazhdojmë rrugën tonë bazuar te vlerat dhe parimet…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.