Politike

Berisha: Shumë shpejt protesta e parë kombëtare

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i PD Sali Berisha paralajmëroi organizimin e një proteste kombëtare.

Ai theksoi se ajo nuk do të ketë natyrën e një bojkoti të parlamentit, por do të shoqërohet me një strategji të dyfishtë: betejë brenda sallave të Kuvendit dhe mobilizim qytetar jashtë tij.

“Së shpejti do të njoftojmë protestën e parë kombëtare, ftojmë qytetarët që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kur një regjimi që e ka vjedhur atë, që ka përdorur të gjithë potencialin ekzekutiv, financiar, logjistik për t’u marrë votën shqiptarëve. Përpjekja jonë për të transformuar Parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve has në absurditetin dhe banditizmin e paprecedent parlamentar”, tha ai.

Sipas tij, opozita është lejuar të flasë në Kuvend vetëm pas 9 seancash plenare.

Kësisoj, njoftoi se PD-ja do të hapë platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, pasi referuar tij, “demokratët nuk nënshtrohen”.

“Qeveria u miratua pa debat. Programi i saj pa debat. Buxheti dje pa debat.
Të gjitha pa debat. Atëherë ne do hapim platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave si hap i parë.

Por ne ndaj këtij regjimi jemi të vendosur të qëndrojmë me të gjithë potencialin dhe forcën tonë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë