Politike

Berisha: Shqipëria prodhon refugjatë dhe emigrantë

Nga Gazeta Si- Në konferencën “The Western Balkans Paradigm” që po zhvillohet në Tiranë, Sali Berisha deklaroi se Shqipëria “është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”.

“Shqipëria nisi negociatat e aderimit dhe mund t’u siguroj se nisi negociatat në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës. Kushdo që dëshiron të ulet, ne jemi gati t’u ofrojmë të dhënat europiane dhe statistikat që mbështesin këtë që them”, tha Berisha, duke shtuar se Shqipëria i nisi negociatat kur të gjitha pushtetet, 94 për qind përqendrohen në një dorë.

Berisha tha gjithashtu se kur nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia.

“Kush do të shohë se çfarë do të thotë narko-ekonomi, nuk ka pse të shkojë në Bolivi apo në vendet e tjera, mjafton të vijë në Shqipëri sepse është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

Ai shtoi gjithashtu se nga viti 2014 deri në 2024, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, “pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme. Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh”.

Por, sipas tij, Shqipëria gjithashtu po eksporton kriminelë dhe drogë.

“Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme, është kthyer Shqipëria”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë