Politike

Berisha: Shqipëria, me taksë ç’njerëzore për naftën dhe më të lartën në botë

Gazeta Si – Sali Berisha ka kritikuar masat e kryeministrit Rama në lidhje me rritjen e çmimit të karburantit për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, kreu i PD, theksoi se çmimi i naftës me 224 lekë për litër, e rendit Shqipërinë ndër vendet me taksimin më të lartë të karburanteve në botë.

Ai e konsideroi këtë situatë si një “ndëshkim të vërtetë” për qytetarët shqiptarë, duke fajësuar qeverinë dhe duke argumentuar se vendi ynë mban rekordin në Europë dhe botë për nivelin e lartë të taksimit të naftës.

Sipas tij, taksa prej 1.1 euro për litër është absurde dhe ç’njerëzore, duke ndikuar drejtpërdrejt tek çmimet e transportit, bukës dhe produkteve ushqimore.

“Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartit në botë. Një rritje të tillë çmimi nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën. Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë naftën në shkallën 60 përqind të çmimit të saj, – u shpreh Berisha. – Shqipëria është rekord në Europë dhe në botë në taksimin e naftës, çka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike. Shqiptarët duhet të paguajnë për naftën që blejnë 6-8 herë më shumë se qytetarët e vendeve të tjera në raport me të ardhurat e tyre. Nafta është një ndëshkim i vërtetë dhe kjo është një taksë çnjerëzore, absurde, të cilën e paguajnë çdo qindarkë qytetarët shqiptarë”.

Berisha theksoi se “Shqipëria merr 1.1 euro për litër të naftës, qeveria këto taksa duhet t’i ulë në një shumë të përbashkët 0.55 euro për litër naftë. Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, tek çmimi i ushqimeve, tek prodhimet bujqësore, pra ka ndikime të shumëllojta dhe dhimbje më shumë krijon tek ata që nuk kanë makina. Kështu që është emergjente përgjysmimi i taksave”.

Për këtë arsye Berisha fton qytetarët të bashkohen në revoltën e Partisë Demokratike kundër qeverisë.

“Ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën e PD kundër këtij regjimi sepse vështirësitë ekonomike sa më gjatë ta mbajmë, aq më të mëdha do jenë për ta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë