Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike zhvilloi mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 11 majit, me fokus kryesor analizën dhe qëndrimin politik pas asaj që e cilësoi si një ‘farsë elektorale’.
Në fjalën hapëse, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe procesit zgjedhor, duke deklaruar se Shqipëria sipas tij ndodhet sot nën një diktaturë autokratike të kryeministrit Edi Rama.
“Mblidhemi sot për një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm, qëndrimin e forcës sonë politike ndaj farsës elektorale të 11 majit. PD, si forca kryesore opozitare, u angazhua në një përpjekje intensive ndërkombëtare për të denoncuar këtë situatë në të gjitha organizatat ku jemi të anëtarësuar apo federuar,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se ka një mungesë njohjeje të gjerë në opinionin publik mbi natyrën e regjimit politik që, sipas tij, po sundon vendin. Dhe për këtë punë të dobët, fajësoi PD-në e cila sipas tij duhet të kishte bërë më shumë për ta qartësuar konceptet politike.
“Fatkeqësisht, nuk është gjerësisht e kuptuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Kjo më shqetëson jo vetëm për opinionin publik, por më shumë për anëtarësinë dhe mbështetësit tanë.
Nuk vjen nga mosdashja e anëtarësisë, por ka faktorë të shumtë, mes tyre, puna jonë e dobët për të qartësuar konceptet fundamentale politike dhe për të ndriçuar anëtarësinë përballë një regjimi që ka kapur çdo pushtet,”, tha Berisha.
Sipas tij, është droga ajo që emëron ministrat, drejtorët e policisë dhe deputetët. Berisha u shpreh se PD ia doli të paraqesë te ndërkombëtarët situatën e korrupsionit në vend me anë të rezolutave.
“38 mijë metër katrorë tokë publike iu falën kartelit Troplini me 5 kulla dhe 12 ndërtime në zonën e Niko Dovanës në Durrës për punën që bëri. Kudo që dëgjoni kulla është droga. Janë milionat e drogës prapa tyre. Por, në këtë situatë ne ja dolëm ta paraqesim, ta stamposim në disa dokumente ndërkombëtare është arritje për çdo shqiptar, nuk është e thjeshtë fuqi e drogës.
Forca korruptive e saj është e tmerrshme, por ne jemi shumë mirënjohës atyre që votuan ato rezoluta të rëndësishme në të cilën u paralajmërua farsa elektorale. U angazhuam me të gjithë potencialin tonë me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë”, tha ai.
Berisha theksoi se vëzhguesit ndërkombëtarë në raportin paraprak për zgjedhjet u thanë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet nuk ishin të drejta, që u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe rreshtuan problematikat madhore.
“Rreshtuan përdorimin e të gjitha potencialeve njerëzore, financiar, logjistike të shtetit për të marrë votën. Rreshtuan angazhimin e grupeve kriminale për të kontrolluar votën”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




