Politike

Berisha shpërthen derën, hyn në seli dhe flet në emër të PD kundër Ballkanit të Hapur (Foto)

Megjithëse Lulzim Basha e shpalli në Kuvendin e 18 dhjetorit “non grata” edhe nga selia e Partisë Demokratike përmes përjashtimit nga forumet drejtuese të partisë, Sali Berisha u rikthye i papenguar këtë të martë në godinën e selisë blu në krye të atij që e quan Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

Ish-Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Komisionit ngjitën shkallët për në katin e dytë të godinës, duke shpërthyer me forcë derën për hyrë në një nga sallat ku Lulzim Basha kishte vendosur posterin “Zgjedhim të ardhmen”, slogani që ai përdori për Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit për të përjashtuar Sali Berishën.

Përballë Berishës, Lulzim Basha zhvillonte një mbledhje paralele me Kryesinë e Partisë Demokratike. Fillimisht, Berisha e largoi median, ndërsa më pas e hapi sallën për të mbajtur një falë para tyre. Dy ishin temat që u përqëndrua ish-Kryeministri, Ballkani i Hapur dhe zhvillimet brenda PD-së.

Berisha kundërshtoi Ballkanin e Hapur pak pasi Rama me Vuçiç e Zaev mbyllën konferencën e tyre për shtyp në Pallatin e Brigadave. Ish-Kryeministri akuzoi si Ramën, ashtu edhe Bashën për shitje të interesit kombëtar.

“Interesi kombëtar në Shqipëri prej 8 vitesh mbeti jetim, u nëpërkëmb dhe tradhtua në mënyrë flagrante nga Edi Rama dhe me heshtje u tradhtua njësoj nga ish-kreu i opozitës, që me program dhe statut duhet të mbronte këtë interes, Lulzim Brava”, tha Berisha.

I bindur se përfaqëson Partinë Demokratike, Sali Berisha komunikoi qëndrimin zyrtar, sipas tij, të opozitës kundër Ballkanit të Hapur.

“PD e rithemeluar mbi vlerat konservatore u dëshmoi shqiptarëve dhe botës se interesi kombëtar në këtë vend ka një avokat të fuqishëm në opozitën shqiptare dhe Partinë Demokratike. Kjo nuk është protestë kundër bashkëpunimit rajonal, por kundër aleancës bilaterale të Beogradit me vasalët e tij në Tiranë në Shkup, që ushqen nacionalizmat dhe largon Ballkanin nga Europa”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, nisma vendos hegjemoninë serbe dhe ruse në rajon dhe është marrë pa pyetur NATO-n.

“Vendos hegjemoninë serbe në rajon dhe rajonin si zonë të influencës ruse. Kjo përbën një rrezik serioz po të kemi paarasysh se dy vende vasale të Beogradit, që janë kyçur apo anëtarësuar në këtë aleancë, janë vende anëtare të NATO-s dhe e kanë bërë këtë akt pa marrë asnjë miratim nga NATO”, u shpreh Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë