Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi çmimin e naftës, që është rritur së fundmi, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Berisha tha se ngarkesa fiskale e qeverisë është një gjobë e tmerrshme që sipas tij rëndon mbi xhepat e qytetarëve.
Në një konferencë për media kreu demokrat hodhi akuza, duke thënë se në Shqipëri hyjnë 350 mijë ton naftë kontrabandë.
“Nafta është shndërruar në instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve, në instrument të çmimeve strastosferike, të çmimeve të paimagjinueshme. Çmimi i naftës në Shqipëri është 60 për qind më i lartë se në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Taksat që ka vendosur Rama ndaj çmimit të naftës rëndojnë xhepat e shqiptarëve.
Ngarkesa fiskale është tepër e madhe mbi çmimin e naftës. Është një gjobë e tmerrshme që rëndon mbi qytetarët. Kontrabanda e naftës është një tjetër problem, 350 mijë ton kontrabandë hyjnë në Shqipëri. Nafta kontrabandë ka pushtuar tregun shqiptar. Gjitha paratë që fitohet nga kontrabanda shkojnë tek Rama.
Ai bashkëpunon me kompanitë e naftës, duke kontribuuar në çmime tepër të kripura. Çmimi i naftës ka në bazë taksa qeveritare shumë të larta, që është rreth 30 përqind më të larta se në vendet e BE-së, ka në bazë kontrabandën dhe taksa të tjera, të lidhura me magazina doganore, që rëndojnë xhepat e qytetarëve”, tha Berisha.
Kreu i PD-së dha edhe zgjidhjen për këtë situatë.
Sipas tij, me PD-në në pushtet, çmimi i naftës në vendin tonë do të jetë sa në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, pasi taksat do të ulen në mënyrë të menjëhershme.
“Partia Demokratike ka një paketë për këtë problem madhor, që impakton ekonominë shqiptare. Ne kemi gati paketën për çmimin e naftës, duke vendosur taksa në nivel të barabartë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo do arrihet absolutisht kur Partia Demokratike të jetë në pushtet”, deklaroi Berisha.
Ai tha se çmimi i lartë i naftës nuk prek vetëm ata që kanë vetura, por prek çdo qytetar me çmimin e ushqimeve.
“Çmimi i naftës pasqyrohet gjerësisht tek fermerët në bujqësi tek fermerët që nuk paguajnë dot për punimin e tokës.
Çmimi i naftës godet në mënyrë të ndjeshme çmimin e ushqimit për bagëtinë dhe godet kështu sektorin e blegtorisë.
Në qoftë se gjer sot, të gjitha qeveritë e BE kanë bërë një ose disa mbledhje me vendime përkatëse si t’i përgjigjen situatës së krijuar nga rritja e menjëhershme e çmimit të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, kreu i organizatës kriminale në Shqipëri, Edi Rama ka mbetur në nivelin e batutave dhe mashtrimeve dhe premtimit të tij ultracinik se do ulë akcizën kur nafta të tejkalojë 220 lekë për litër.
Ky është një akt i papërgjegjshëm, ky është një akt cinik, kjo është një shpërfillje e madhe për qytetarët shqiptarë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje