Nga Gazeta ‘Si’- Etiketimin si ‘Bufi i kënetës’ nga kryeministri Edi Rama, rivali i tij politik, Sali Berisha duket se e ka marrë me sportivitet në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Kreu i Partisë Demokratike u shfaq në konferencën për media të së premtes me një buf me ngjyrë të bardhë në tavolinën e tij.
“Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën”, tha Berisha, duke shpjeguar më tej se bufi është “një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë”.
Ndaj, ai tha se nuk mund ta konsideroje si fyerje etikimin si ‘buf’ që kryeministri Rama i bën atij.
“Vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.
Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini”, deklaroi kreu i selisë blu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.