Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i PD-së Sali Berisha, është rikthyer përsëri në podiumin e protestës duke i uruar këtë herë mirëseardhjen liderëve të BE-së në Tiranë, por duke shtuar se ata janë ulur me atë që duhet të ishte para drejtësisë, referuar kryeministrit Rama dhe se kjo është fatkeqësi për shqiptarët.
Berisha shtoi se samiti në Tiranë është mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike dhe se godet Ballkanin e Hapur.
“Ky samit është një mbështetje e madhe për shqiptarët dhe PD-në, forcën politike që në betejë për vlerat europiane, me moton: E duam Shqipërinë si Europa, përmbysi diktaturën komuniste. Bujaria e kombeve dhe vendeve tuaja, ka qenë e një rëndësie thelbësore në këtë arritje, ndaj dhe ne u mbetemi borxhli përjetë ju dhe taksapaguesve tuaj. Ne përfaqësohemi në këtë samit me njeriun që në gjithë kodet e botës duhet të ishte para drejtësisë e jo aty i ulur me ju. Ne ndihemi fatkeq se pushteti i atij që na përfaqëson qendron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur të qytetarëve, mbi drogën korrupsionin e të zezat e tjera ndaj këtij kombi. Për të ardhmen e Shqipërisë është vetëm Europa. Samiti i BE-së është përgjigja më e mirë ndaj ekspansionizmit rus dhe neootomanizmit të Erdogan në rajon. Në këtë samit merr goditje të madhe plani i Ballkanit të Hapur”, -tha Berisha.
Po takove Ramën kontrollo xhepat. Zero tolerancë ndaj krimit.
“Këtu narkoeurot përdoren për çdo krim, përfshi edhe atë që kishin planifikuar ditën e sotme.
Mbi këtë bazë, në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë. Madje sot Edi Rama ka sot pushtet më shumë se sa kishte në vitin 1991 diktatori i fundit komunist. Për treguesin e zbatimit të ligjit, Shqipëria renditet 54 vende nder Kosovën, por edhe katër vende poshtë republikës socialiste të Vietnamit komunistë. Kryeministri më i korruptuar i Europës. Shqipëria e Edi Ramës eksporton krim, drogë, refugjatë”, tha Berisha.
Berisha foli edhe sulmin që iu bë atij, pak momente më parë gjatë marshimit, duke thënë se djali që e goditi duhet liruar dhe se autori i vërtetë është ulur në tavolinën e samitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




