Nga Gazeta ‘Si’ - Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin e tij të parë në selinë blu pas lirimit nga arresti shtëpiak ku qëndroi prej 11 muajsh, duke u shprehur se sakrifica e 330 ditëve dhe mundi, triumfoi dhe u shpërblye.
Berisha u prit mes brohorimave të qytetarëve të shumtë të mbledhur në seli, për të festuar këtë moment.
“Sot është dita kur dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare në grushtin e shtetit që i bën asaj. Sot sakrifica e 330 ditëve, mundi, triumfoi dhe u shpërblye. Ne qëndruam dhe vetëm qëndruam për të vërtetën për vlerat që besojmë, pas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh një ditë të mirë dhe është zhytur në errësirë.
Kjo është një ditë e mirë për shqiptarët, opozitarët, një ditë shprese. Sot është një ditë e mirë dhe për ata që nuk janë opozitarë, edhe për kundërshtarët e opozitës. Sot nuk fitoi Sali Berisha, por e vërteta, ligji dhe kushtetuta dhe Shqipëria”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi mbështetësit, familjen dhe gjyqtaren, Flojera Davidhi. Ai u shpreh se gjyqtarja nderoi ligjin dhe moralin.
Ndër të tjera Berisha shprehu mirënjohje për çdo shqiptar, mbështetës të tij dhe të Partisë Demokratike.
“Këtë vit unë kam thyer rekord për numër fjalimesh. Plot 330 të tilla. Tani veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës.
Por, ka ende disa mesazhe të rëndësishme, që sot dua të ju them shqiptarëve. Së pari dua të falënderoj çdo shqiptar. Dua të falënderoj familjen time, e cila mori një dozë të madhe të kësaj sakrifice. Të betejës sonë për shpëtimin e Shqipërisë.
Dua të falënderoj me mirënjohje të pakufishme ata qindra e mijëra gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar që me qëndresën e tyre të pamposhtur të përnatshme, me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e ngushtë të banesës time ne bulevard shprese për shqiptarët. Keni qenë frymëzimi im. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë!
Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët, opozitarët që me mosbindjen e tyre civile, e bënë Shqipërinë në kushtet më te vështira te narkodiktatures me opozitën më të fuqishme që ajo ka pasur ndonjëherë. Dua të falënderoj çdo shqiptar. Ata në Shqipëri. Ata në Kosovë. Dhe ata në diasporë. Sepse pa të gjithë ju, pa mbështetjen tuaj, pa qëndresën tuaj, kjo ditë, kjo fitore, nuk do ishte e mundur! Një mirënjohje të thellë kam për miqtë e mi dhe miqtë e Shqipërisë në rajon, në Europë, në SHBA dhe në botë për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në mbrojtje të Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe kauzës tonë të drejtë.
Gjithashtu sot falënderoj me mirënjohje CDI dhe EPP, udhëheqjen e këtyre organizatave dhe të partive anëtare për rezolutat e tyre historike në mbështetje të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare dhe denoncimin e narkodiktaturës në Shqipëri.
Falënderoj gjykatësen, e cila nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës.
Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar”, tha Berisha.
Në fund ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të krijojë qeveri teknike ndërsa shtoi se Rama do të përgjigjet për dy vite që sipas tij grabiti flamurin e PD.
“Rama ka vetëm një rrugë, qeverinë teknike. Pse ka frikë Rama nga vota e lirë? Sot ishte një fitore, por kemi akoma shumë punë përpara", deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.