Nga Gazeta 'Si' - Pasi u rikthye në selinë e Partisë Demokratike pas heqjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie”, Sali Berisha mbajti një konferencë për gazetarët, nga ku menjëherë ngriti akuza të rënda ndaj qeverisë dhe zyrtarëve me emra konkretë.
Ai u shpreh se ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është i akuzuar se ka porositur vrasje, ndërsa tha se emri i Ramës është më i lakuari në bisedat e zbardhura nga Sky ECC dhe Encrochat, duke e quajtur atë si kriminelin më të madh.
“Taulant Balla është i akuzuar për porosi vrasjesh. Ai ka një mburojë politike dhe me të bëhet më i forti i qytetit dhe merr shefat e policisë, e drejtuesit e gjykatave. Më kriminel nga të gjithë është Edi Rama sepse i pret në zyrë. Edi Rama është personi më i lakuar, më i cituar në Sky. Ata që kanë punuar në kohën e Berishës juristë e dinë shumë mirë mbështetjen që i kam dhënë për të plotësuar detyrimet e tyre ligjore.
Ata ndërtuan një drejtësi që mund ta çonte vendin në konflikt civil”, u shpreh Sali Berisha.
Berisha u shpreh se procesi gjyqësor i zhvilluar ndaj tij është piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e Europës, pas luftës së dytë botërore
I pyetur nga gazetarët nëse e ka pritur vendimin, kreu demokrat tha: “Nuk mund të them se e prisja apo jo. Unë e kam thënë dhe e them drejtësia kontrollohet në tërësi nga Edi Rama. Siç e patë nga Gjykata Kushtetuese, vendim më të turpshëm nuk mund të kishe. Ata nuk janë analfabetë. Ata sipas tyre, gjysma qenka në rregull, gjysma jo”.
Ndër të tjera ai tha se “PD ka ndezur motorët e mosbindjes civile dhe motorët e fushatës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne jemi për mosbindje civile gjersa të bëjmë zgjedhje të lira. Rama duhet të pranojë qeveri teknike”.
Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama do të pranojë kërkesën e tyre për qeveri teknike.
I pyetur nëse ka një “As nën mëngë” nëse kreu i qeverisë refuzon, Berisha theksoi se Rama “nuk ka ku të shkojë”, duke shtuar se “ai nuk do, por ne do t’ia imponojmë.”
“Ai nuk ka ku të shkojë, jua them unë. Nuk e do kurrë por ne do t’ia imponojmë. Tani Shqipëria është bërë e qartë se çfarë është për botës, është narkoshtet, është diktaturë”, u shpreh Berisha në konferencë për mediat nga selia e PD.
Berisha u pyet edhe nëse i druhet rikthimit në “arrest shtëpie”, pasi SPAK ka deklaruar se do të ankimojë vendimin e marrë nga GJKKO.
Kryedemokrati iu përgjigj deklaratës së SPAK, duke thënë “Të bëjnë ç’të duan!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.