Politike

Berisha: Raporti i OSBE/ODIHR, më damkosësi në 33 vite

Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha thotë se opozita dhe shqiptarët duhet të ngrihen në protesta pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD tha se raporti i publikuar një ditë më parë për zgjedhjet ishte sipas tij më damkosësi në 33 vite.

“Ai që ka sy të lexojë, le të lexojë në faqe të tëra rreshtohen e gjithë batërdia zgjedhore, jo në një apo dy rrethe, por në shumicën e qarqeve të Shqipërisë. E vërteta është se në 33 vite, ky është raporti më damkosës për farsën elektorale të Edi Ramës. Asnjë raport tjetër nuk ka pasur përmasat e denoncimit të farsës si raporti i zgjedhjeve të 11 majit.

Janë rreshtuar argumente të pafundme të funksionimit të partisë shtet. Të përdorimit të të gjitha resurseve të qeverisë dhe shtetit për të grabitur zgjedhjet. Natyrisht raporti nuk mund të shkruajë ato që nuk shkruhen. Jo. Ai ka pasur detyrë, ata burra e gra kanë pasur detyrë të thonë nëse zgjedhjet përputhen me standardet ndërkombëtare apo jo. Dhe ata faktojnë se në një demokraci pluraliste, këto zgjedhje nuk përputhen ndërkombëtare në parimin më themelor të barazisë”, tha Berisha.

Sipas tij, tani opozita shqiptare duhet të ngrihet në protestat më të fuqishme që ka njohur historia e vendit nga vitet ‘90 me qëllim sublim votë e lirë për qytetarët shqiptarë.

“Ai dha verdiktin e vet u takon shqiptarëve, na takon ne opozitës që të japë verdiktin e vet.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë