Politike

Berisha: Ramës nuk i dhanë as datë për hapjen e kapitujve! Në Bruksel i nxorën kartonin e kuq

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Berisha akuzoi qeverinë e Ramës për vonesat dhe pengesat në këtë proces, duke argumentuar se integrimi duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve europiane.

Sipas Berishës, Shqipëria ka mbetur peng i një qeverisjeje që nuk respekton standardet e kërkuara nga BE.

“Qëllimi madhor i PD është integrimi i Shqipërisë në BE, por ky proces duhet të bazohet në meritë, me dy shtylla kryesore: funksionimin e shtetit ligjor dhe një ekonomi tregu funksionale”, tha Berisha në konferencë me gazetarët.

Premtimet e Ramës për integrimin deri në 2030 ai i cilësoi si mashtrime. Prej disa ditësh Berisha po aludon për shtyrje të negociatave.

“Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të BE në Bruksel, i vendosën karton të kuq mashtruesit. BE vendosi të mos hapë kapitujt e tjerë me Shqipërinë. Vendosi të mos caktojë as datë për hapjen e kapitujve. Informoi shqiptarët se nuk ka asnjë datë për hapjen e negociatave dhe se Brukseli nuk pranon një proces tjetër veçse të bazuar në plotësimin e kritereve dhe standardeve të BE”, deklaroi ai.

Mandej ai e akuzoi Ramën si një ‘sharlatan’, që sipas tij, kërkon të mbulojë vonesën 12-vjeçare dhe ngadalësimin e procesit të integrimit për 12 vite me radhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë