Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS, ku u prezantua nisma për ndryshimet ligjore.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se Belinda Balluku mund të bëhet e penduar e drejtësisë dhe sipas tij të marrë me vetë edhe Edi Ramën.
Kreu i PD, aludon se tre dorëheqjet e Ballukut i ka sajuar vetë Edi Rama, pasi sipas Berishës në takimin në kryeministri me Ulsi Manjën dhe Engjëll Agaçin, ajo ka refuzuar dorëheqjen.
“Dje ai doli dhe u betua dhe u stërbetua për kokën e Ballukut. E patë ju sa të mallëngjyer ishin. Njëra ishte e gatshme të ngashërehej nga mallëngjimi, tjetri të betohej për kokën e saj. Një mashtrim i turpshëm. Cinizëm ekstrem.
Pse e them këtë? Ai thotë se Balluku dha tre herë dorëheqjen, aty e zbuloi veten. Nuk e lejoi. Nuk e lejoi se do e marrë me vete. Kaq.
Por në debatin pesë orë në kryeministri në prani të Ulsiut dhe Engjëll Agaçit, e vërteta është që ajo ka kundërshtuar preras dhënien e dorëheqjes. Dhe Edi Rama me këto gënjeshtra, ka rrezik që i ka firmosur vetë ato dorëheqje vetëm për alibira dhe mashtrime. Dhe ja ku jemi, në këto kushte”, tha Berisha.
Sipas tij, të gjitha këto janë dëshmi se Edi Rama po bën gjithçka për të qëndruar në pushtet.
Referuar protestës, ai shtoi se 20 shkurti do jetë dita e kryengritjes më të madhe paqësore në histori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje