Politike

Qëndrimi i PS për Ballukun/ Berisha: Rama vendosi të mbyllë dyert e drejtësisë!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për asgjësim të pushtetit gjyqësor.

Duke u ndalur tek qëndrimi i socialistëve për Ballukun, Berisha tha se sipas tij, Rama po përdor mandatet e krimit të tij si bajoneta kundër shqiptarëve.

“Mblidhemi sot një ditë para një akti të pashembullt në historinë e parlamentarizmit shqiptar në 34 vite pluralizëm.

Mblidhemi në një kohë kur, për të mbrojtur lëkurën e tij, për të mbrojtur krimet që ka kryer, ai vendos t’i mbyllë dyert e drejtësisë shqiptare. Vendos de facto asgjësimin e pushtetit gjyqësor.

Vendos mburojën e plotë të mazhorancës së krimit apo të mandateve të krimit për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve. Vendos në kuadrin e një skenari më të zi, skenarit të shkëputjes së Shqipërisë nga procesi i integrimit në BE, pas përpjekjesh të jashtëzakonshme të bëra në vite për një ëndërr të kahershme të shqiptarëve”, tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD.

Sipas Berishës, Rama e çoi Shqipërinë edhe njëherë te “kafshata e bukës”, duke larguar dhe shqiptarët nga vendi.

“Vetëm ai ishte i aftë të zhyste shqiptarët në varfëri. Edi Rama, pasi ka vjedhur miliarda me organizatën e tij kriminale, zhduk edhe Kushtetutën, shtetin ligjor, i shkatërron drejtësinë, për të mbrojtur Ballukun”, tha ndër të tjera Berisha.

Sipas kryedemokratit, sot është koha që të përballen të gjithë me regjimin e Edi Ramës. Berisha u shpreh se opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore deri në rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.

“I zotërohem Edi Ramës se ai nuk do të zotërojë kurrë këtë që mendon. Në rast se mendon se do t’i shpëtojë një prokurori, nuk do t’i shpëtojë kurrë popullit të tij”, tha kryetari i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë