Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së (ku iu bashkua edhe një deputet që deri dje mblidhej me Enkelejd Alibeajn, Xhelal Mziu), kryetari i PD-së, Sali Berisha ka sulmuar Ramën për qëndrimin e këtij të fundit ndaj pedagogeve lidhur me kërkesat për rritje page.
“Vuri në krye të arsimit një person që kishte probleme serioze me arsimin e vet dhe tani u kthehet përsëri, pasi i ka fundosur për tetë vite me radhë, duke u marrë me punësimin e tyre. Duke u mbajtur rrogat në rënie çdo vit për shkak të inflacionit. Tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale si ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Pra, vërsulet ndaj universiteteve, u tregon hanxharin, vetingun.
Kush është ky që u tregon vetingun këtyre? Ai është kreu i një organizate më kriminale në Europë, që thotë se firmos fap e fap, që firmos qindra milionë dollarë, në një kohë kur entet e specializuara të shtetit i thonë se nuk mund të firmosen, se janë në kundërshtim flagrant me ligjin. Por ligji i xhepit prevalon mbi çdo ligj. Ka fytyrë të kërkojë veting të pedagogëve ky që parkun rreth shtëpie e kam blerë me 2 dollarë. A u kujtohet ju pse e kanë akuzuar Adriatik Llallën? Sepse ka bërë rivlerësimin e pasurisë sipas ligjit. Kurse ky e ka parkun në zonë të ndaluar, të mbrojtur. Ky që u kërkon vetingun dhe ua përmend vetingun si hanxhar. Ky ka një saraj dhe flet për pastërti figure.

Njëherë zonja thotë se u bënë me paratë e Kurbanit, ky del e thotë se u bënë me paratë e emigracionit. Kërkojani një faturë për paratë e emigracionit me të cilat ndërtoi vilën. Nuk ka asnjë faturë të vetme. Thotë ka 3800 dojçmarka, ndërkohë që sarajet ishin ngritur komplet…”, tha Berisha.
Më tej ai nënvizou: “Ky kërcënon pedagogët, kërcënon me mbyllje universitetet e Vlorës, Gjirokastrës.
Ka dërguar hordhitë tatimore për të bërë presione nga më të paligjshmet. Dhe kulmon kur thotë se do marr studentë nga jashtë. Dhe këta shqiptarët nuk i lejoj. Sepse i urren.
Ky do të krijojë elitën e patronazhistëve. Enver Hoxha, gjëja e parë që bëri ishte dekapitimi i elitës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



