Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ngriti akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po rrezikon të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian.
“Lajmet që vijnë nga kancelaritë europiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq. Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.”, tha Berisha.
Kryedemokrati shtoi se sipas tij nëpër kancelaritë e vendeve të Europës po diskutohet kjo gjë dhe se nuk përjashtohet opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit.
Berisha e lidhi këtë me qëndrimet e kreut të qeverisë mbi çështjen e hetimeve ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe mbetjes pezull të votimit për imunitetin e saj në Kuvend. Po ashtu edhe për shkak të çështjes së hetimeve ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.
Sipas tij, qeveria nuk plotëson asnjë kriter për procesin e integrimit, përveçse atë gjeostrategjik.
“Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë europiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.
Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Ballukut, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë.
Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t. Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



