Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi investimet amerikane në Jug të vendit nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.
Nga jashtë Parlamentit, Berisha tha se sipas tij Rama po e përdor Sazanin për influencë politike.
Ai tha se është pro zhvillimit strategjik në Sazan, duke pranuar se edhe ai vetë ia kishte ofruar kur ishte kryeministrër ish-liderit të ndjerë italian Silvio Berlusconi.
“Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. E kemi ofruar se nuk është kaq, të paktën në kohën kur kemi bërë vlerësimin, ka qenë një ishull aspak i lakmueshëm, e ofroi Fatos Nano para meje, e ofrova unë, ra kriza. Mikut të shquar të kombit shqiptar Silvio Berlusconit, e pranoi dhe bëri një projekt shumë të mirë, ra kriza financiare. S’mund të them që jo! Nuk është i lehtë për t’u zhvilluar”, tha Berisha.
Mirëpo ai nuk është dakord me investimin në Zvërnec: “Sa i përket Zvërnecit është një aferë private. Nuk di të jetë dhënë tokë publike aty dhe do ta shohim. Sa i përket Sazanit, ne i mbështesim investimet amerikane por natyrisht ky e përdori atë për influencë politike. I sigurt që dështoi sepse përndryshe nuk do të përpiqej të behj gazi i dheut në një samit që u bë kryelajmi i atij Samiti”.
Dhëndri i Presidentit amerikan, Jared Kushner ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro.
Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



