Nga Gazeta ‘Si’ – Në konferencën e tij me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza kundrejt kryeministrit Edi Rama.
Berisha e cilësoi atë si një “kukull të George Soros” dhe liderin më të diskredituar në Europë.
Ai shtoi se Rama ka ndërmarrë përpjekje për ta sulmuar atë personalisht, përfshirë pagesën e 150 mijë eurove për një hapësirë në “New York Times”, ku sipas Berishës, u botua një artikull kundër tij.
Ish-kryeministri tha gjithashtu se LaCivita, strategu i fushatës së Presidentit Donald Trump (tashmë i kontraktuar nga PD), deklaroi për të përditshmen amerikane se Edi Rama është thjesht një kukull e Xhorxh Sorosit dhe se akuzat ndaj Sali Berishës janë mirëfilltas politike.
“Ne luftuam me të gjithë përpjekjet tona kundër doktrinës së Xhorxh Soros, të globalizmit të drogës të censurës dhe me radhë. Rama sot është njeriu më i damkosur, është kryeministri më i damkosur në Europë, si kukull e Xhorxh Soros. Dy ditë më parë ai pagoi, vetë apo nëpërmjet të tjerëve, 150 mijë a sa mund të ketë kushtuar ajo hapësira në New York Times kundër meje.
Kjo i është kthyer në boomerang, pasi dje njëri nga dy strategët e rikthimit më madhështor të Donald Trump deklaroi për ‘New York Times’ se në Shqipëri ka ardhur për të vazhduar punën e Trump, për ta bërë Shqipërinë të madhe përsëri, dhe se Edi Rama është një kukull e George Soros. Karma është ashtu siç e do ai vetë,” tha ai, duke iu referuar intervistës së fundit të Chris LaCivita në NYT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




