Politike

Berisha: Rama nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore sepse nuk do të kompesojë qytetarët

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD përsëriti thirrjen për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në vend.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk po e shpall për shkak se nuk do që të kompesojë qytetarët.

Berisha akuzoi Ramën se po bën sehir në këtë situatë dhe tha se qeveria e tij është jashtë çdo lloj standardi.

Sipas tij, fakti që Durrësi është përmbytur në nivele të tilla, erdhi nga hidrovoret të cilat kanë porta që nuk funksionojnë dhe kanë pompat e djegura.

Gjithashtu ai shtoi se sipas tij në këtë situatë kanë ndikuar negativisht dhe kanalizimet të cilat janë bllokuar me ndërtime të tjera dhe nuk janë pastruar.

“Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë.

Pra, këto dy hidrovorë, i pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, kurse hidrovori i Hamallajt i ka pompat e djegura.

Përveç kësaj kanalizimet janë bllokuar me ndërtime të tjera ose nuk janë pastruar. Pra, në këtë situatë gjithçka favorizon ujin për të përmbytur qytetarët, shtëpitë, bizneset e tyre.

Situatë dramatike, tepër kërcënuese është në zonën e Novoselës ndaj dhe Bashkia e Vlorës ka kërkuar evakuimin.

U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij.

Në asnjë vend nuk gjenden qeveria dhe përfaqësuesit e narko-qeverisë, përveçse ministri i Drejtësisë që kishte shkuar në burg dhe kishte veshur kominoshet e burgut për të dëshmuar se qeveria e tij është një qeveri e mbytur komplet.

Ndaj dhe para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur.

Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre.Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë