Politike

Berisha: Rama mbylli dyert e integrimit në BE duke mbrojtur Ballukun

Nga Gazeta ‘Si’-  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi pas vendimit të socialistëve për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se sot Rama sipas tij hoqi maskën dhe tregoi se po mbron veten e tij.

Berisha u shpreh se sulmi që Rama i bën drejtësisë sipas tij është sulm ndaj çdo qytetari shqiptar. Me vendimin e sotëm për Ballukun, Berisha deklaroi se “Rama qëndron mbi ligjin”.

“Nuk është një sulm ndaj drejtësisë kjo që po bën, sepse në këtë drejtim drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj. Ky është një sulm me të cilin Rama ju thotë se ai qëndron mbi ligjin dhe si një narkodiktator vendos në këtë vend për gjithçka dhe për çdo gjë.

Ai sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër shqiptarëve dhe mbylljes së dyerve të integrimit në BE. Asnjë prej jush nuk duhet të pranojë këtë narativë. Është çështja e Edi Ramës. Vjedhjet e tij tejkalojnë miliarda”, tha Berisha.

Kreu i opozitës u shpreh se sipas tij Balluku nuk ka qenë asgjë tjetër veçse notere e vjedhjeve 25 vjeçare ndërsa shtoi se tani fjalën e kanë qytetarët shqiptarë.

“Sot Edi Rama hoqi çdo lloj maske dhe doli publikisht në mbrojtje totale duke vënë në peng kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian. Rama ju tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme, se SKAPI është një zero me bisht dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit. Ai mori në mbrojtje totale veten e tij, sepse de facto Lubia nuk ka qenë asgjë tjetër veçse noterë e vjedhjeve 25 vjeçare të këtij hajduti. Rama, sot sfidoi çdo shqiptar”, u shpreh kryedemokrati.

Ai ftoi edhe njëherë qytetarët që të protestojnë para parlamentit më 12 mars, të enjten kur në Kuvend si opozita ashtu dhe mazhoranca do dorëzojnë raportet për Ballukun dhe do diskutojnë për kërkesën e SPAK ndaj saj.

“Me datën 12, e gjithë Shqipëria para parlamentit në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur vendi. Zgjidhja është vetëm në duart e qytetarëve.

Unë kam bindje se shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, njerëzit me integritet dhe njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit të tyre nuk do pajtohen kurrë me këtë vendim të Edi Ramës, me të cilin ai u thotë se vjedhja e tyre nga qeveritarët nuk mund të ndëshkohet”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë