Politike

Berisha: Rama ka suksese imagjinare. Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht për integrimin në BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vetëm suksese imagjinare.

Duke iu referuar vizitës që Rama do zhvillojë në Bruksel sot, Berisha tha se sipas tij Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht për integrimin në BE.

“Rama po shkon drejt fundit të merituar. Ai po zhbën edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht për integrim në BE. Rama ka vetëm suksese imagjinare. Tirana plotëson vetëm kushtin gjeo-strategjik. Duke thënë këtë, garantoj partnerët europianë se Partia Demokratike ka prioritet integrimin e vendit në BE, por jo në mënyrë mashtruese, por gjithçka në meritë e performancë.

PD ka bërë më shumë se çdo parti tjetër në integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian. Ishte Partia Demokratike që arriti Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Ne liberalizuam vizat. Ne kur përmbushëm kërkesat e BE-së, nuk iu lutëm askujt, por çdo gjë ishte shumë serioze. Shqipëria sot është një vend ku të drejtat e njeriut dhunohet masivisht. Rama ankohet sot se janë mbushur burgjet. Por, burgjet i mbushi Rama, që i la shqiptarët pa të drejtën e procesit gjyqësor. Rama do shkelmojë në Bruksel interesat e shqiptarëve, do mbrojë interesat e tij. Nesër është dita e qytetarëve. Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, se ne nuk mposhtemi kurrë nga një klikë që kërkon të vjedhë vendin”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë votë për këtë qeveri, që siç tha, e ka mendjen të vjedhë qytetarët.

“Rama nuk do të ketë asnjë votë. Asnjë bashkëpunim me Ramaduron. Ne jemi partnerë me qytetarin dhe jo me këtë qeveri hajdute. Në lidhje me protestën në Rrjoll, ne jemi kundër prekjes së tokës të pronarëve privat, qoftë edhe një metër kartrorë tokë. Ne nuk pranojmë që të tjerëve t’ju merret toka e tyre”, u shpreh ai.

Berisha përsëriti se e vetmja rrugë për të rrëzuar qeverinë janë protestat dhe vetëm protestat.

“Ne e kemi thënë se e vetmja rrugë për të rrëzuar këtë qeveri janë vetëm protestat. Ne nuk do të rreshtim, derisa ta rrëzojmë këtë regjim gjakatar”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë