Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me vendimin për të mos autorizuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut ka hedhur poshtë integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në mbledhjen e Kryesisë, kryedemokrati theksoi se sipas tij Rama ka zgjedhur si “rrugëdalje” shkelmimin haptas të integrimit në BE.
Për Berishën, propozimi i Ramës bashkë me presidentin serb për integrim pa të drejtë vetoje, është një akt tradhtie kombëtar sepse, sipas tij, ata kërkojnë thjesht një integrim tregtar me Unionin evropian.
“Edi Rama, pavarësisht nga paralajmërimet që mori, vendosi që para procesit të integrimit të zgjedhë mburojën e tij ligjore për vjedhjet që ka bërë, të mos dorëzohet para ligjit ai as dhe rrethi i tij i ngushtë familjar. Por një gjë është prapë e qartë se e gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, bëhet vetëm për Ramën dhe rrethin e ngushtë familjar. Pra çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzit me të cilët ka vjedhur, Lindës së tij dhe baxhanakut etj.
Si rrugëdalje ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin mbi bazë merite, dhe kërkesën që bëri me Vuçiç për një integrim tregtar, marrëveshje tregtare me BE, por jo paketa politike. Thjesht një partneritet në tregti. Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Edi Rama kreu një akt ndër më të egrit armiqësorë ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
Sipas kryedemokratit nisma Rama-Vuçiç ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE-së që mendojnë se Shqipëria kurrë s’duhet të jetë anëtare e BE.
“Bashkimi Europian, Komisioni Europian, sigurisht nuk mund dhe nuk do të pajtohet me asgjësimin e sistemit të drejtësisë, por duhet të jemi realistë, nisma Rama-Vuçiç, nuk është se nuk ka mbështetje të pjesshme. Ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE që mendojnë se Shqipëria kurrë nuk mund të jetë anëtare e BE. Prandaj, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç na dhanë një zgjidhje, nuk duam vetë dhe nuk merremi me ta”, vijoi kreu i PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje