Nga Gazeta ‘Si’- ‘Edi Rama duhet t’i fshijë dhe këpucët Altin Dumanit.’
Kështu deklaroi kreu i PD Sali Berisha në një konferencë për media, pasi sipas tij, kreu i SPAK e ka mbrojtur kryeministrin Edi Rama nga çdo krim dhe vjedhje që ka bërë.
Berisha akuzoi Dumanin dhe njerëzit e lidhur me të për ndërhyrjet në emërimet dhe shkarkimet në Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se shumë veprime të dyshimta dhe të paligjshme janë bërë me mbështetjen e tij.
Komenti i Berishës erdhi pasi kryeministri Edi Rama tha sot se ndaj Dumanit po kryhen sulme kafshërore ndërsa përmendi disa raste ku, sipas tij, Rama është përfshirë në veprime korruptive.
“Po të mos qe Altin Dumani, para se të ishte Erion Veliaj në qeli, duhej të ishte për djegësin Edi Rama.
Po të mos qe Altin Dumani, njëlloj siç është McGOnigali në burg duke vuajtur për ryshfetin që ka marrë nga Edi Rama, duhet të ishte Edi Rama.
Po të mos ishte Altin Dumani, nuk do pastrohej Olsi Rama që mashtronte publikisht se ka udhëtuar vetëm një herë me makinën e bosëve të trafikut, në një kohë kur unë kam dokumente se ka udhëtuar pesë herë. E si të mos thotë ai, rroftë e qoftë Altin Dumani. Natyrisht ka të drejtë”, tha Berisha.
Ai shtoi se sipas tij Rama duhet të bëjë nga mëngjesi gjer në darkë lavde dhe elozhe për Dumanin, për sa kohë ky i fundit, sipas Berishës, është bërë mburojë e këtyre vjedhjeve.
Mandej ai akuzoi kreun e SPAK duke thënë se nuk ndëshkon dosjet se ato, sipas Berishës, të çojnë tek Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.