Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Balluku se sipas tij, po falsifikojnë dokumente për të manipuluar procesin gjyqësor.
Sipas Sali Berishës, shqyrtimi i dosjeve të deritanishme nxjerr ‘vjedhjen e 1.2 mld euro nga Rama dhe Balluku në sektorin e infrastrukturës dhe të paktën 700 mln euro në kopshtin privat të Edi Ramës’
“Edi Rama me makinërinë e tij të shkatërrimit të dokumenteve, falsifikimit dhe manipulimit, nuk mund të fshehë kurrë mbi 500 e sa kontrata sekrete të firmosura nga Linda e AKSHI-t me porosi të Lindës së Surrelit për kunatin e florinjtë.
Nuk fshihen ato. Nuk fshihen dot sepse janë 800 transaksione sa për asnjë shqiptar tjetër në historinë e thesarit brenda një viti për Armand Frangun.
Dielli me shoshë nuk mbulohet. Përpjekja që bën Edi Rama me Lubi Ballukun për të bllokuar procesin e drejtësisë përbën një krim permanent, krim në vazhdim për të dy ata”, tha ai.
Berisha komentoi edhe bojkotin e socialistëve në Mbledhjen e Këshillit të Mandateve të thirrur nga PD.
Sipas tij, pretendimet e Ramës se nuk kanë lexuar dosjen në një afat prej tre javësh, janë të pavërteta.
‘Po, se këta tejkalojnë çdo gjë vije të kuqe, janë të pacipë, tejkalojnë çdo kufi. Ç’do të thotë ajo nuk i kemi lexuar? Çfarë nuk ka lexuar? Ajo ka marrë motrën avokate.
Çfarë ka mbetur pa lexuar aty? Por ka ngelur vetëm koha që u duhet për të shkatërruar qindra e qindra dokumente.
Kjo po ndodh para syve të shqiptarëve, kjo po ndodh para syve të komunitetit ndërkombëtar të gjithë Europës dhe botës.
Po ndodh një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori”, tha Berisha ndërsa shtoi se PD do t’i përgjigjet kësaj situate si me rrugë ligjorë, ashtu edhe me protesta të ligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




