Nga Gazeta ‘Si’– Teksa prezantoi koalicionin e PD, kryedemokrati Sali Berisha shigjetoi kryeministrin Edi Rama.
Sipas Berishës, në 12 vite qeverisje, Rama nuk ka asnjë arritje.
Nga rroga, pensionet dritat dhe uji, sipas Berishës, Rama i ka mashtruar shqiptarët, ndërsa e akuzon kreun e qeverisë edhe për shpopullimin e të rinjve dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Nuk përmend dot suksese sepse ka mashtruar për çdo gjë shqiptarët. Se u thoshte ujë 24 orë, dhe tani ujë më keq se kurrë. Se u thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë. Nuk përmend TVSH-në e ushqimeve që do ulte, paçka se çmimet kanë shkuar në stratosferë. Nuk përmend dot asgjë, asnjë premtim, sepse të gjitha janë mashtrime. Por mbi të gjitha, forcat tona politike janë forca të interesit kombëtar. Ne së bashku përfaqësojmë interesin kombëtar të shqiptarëve. Çfarë përfaqëson ai?
Ai përfaqëson një nga armiqtë më të egër të kombit në të gjitha kohërat. Ai përfaqëson njeriun që në 12 vite qeverisje, përzuri nga Shqipëria 45 përqind të shqiptarëve. Ndaj dhe u etiketua si Pashiqi i Tiranës”, tha ai.
Berisha nuk harroi ta etiketojë kryeministrin edhe si argat të presidentit serb dhe bëri thirrje për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku antikombëtar.
“Ai përfaqëson njeriun e parë në Europë që i vuri sanksione shtetit të pavarur të Kosovës për llogari të Beogradit. Miq, kush ka lexuar histori, do gjejë se Enver Hoxha i shkruante Stalinit: Shoku Stalin, Kosovën e lamë me Jugosllavinë se është më e sigurt me Jugosllavinë. Mendja na thotë se vepruam drejt.
Edi Rama, Kosovën e la me Vuçiçin. Edi Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit. Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit, sekretari Marco Rubio dënoi Dodikun. Edi Rama hesht si fija e barit për aktet e tij destabilizuese. Pra kemi të bëjmë në këtë aspekt, shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar që rrallë e ka pasur në histori, siç është Edi Rama”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




