Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sot një deklaratë për mediat, nga ku foli, sipas tij për keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Ai paralajmëroi protestën e radhës të opozitës, e cila sipas tij, do të mbahet rreth Parlametit, gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2025. Berisha tha se në protestë janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë qytetarët, duke nisur nga pensionistët, fermerët, bizneset e vogla, etj.
“Miratimi i këtij buxheti do të shoqërohet me protestë të fuqishme rreth parlamentit, ku qytetarët, pensionistët, fermerët, bizneset e vogla të ngrenë zërin e tyre në ditën e plaçkitjes më të madhe në parlamentin e krimit…Shtylla numër një e programit të PD do jetë ekonomia e qytetarit. 3.5 përqind e buxhetit do shkojnë për subvencione në bujqësi…Unë jam këtu për të garantuar fermerët shqiptarë se nuk do ketë buxhet kurrë që t’u alokojë atyre një të dyqindtën e tij, por dhjetëra, dhjetëra herë më shumë.
3.5 përqind e buxhetit të shtetit do parashikohen subvencione për bujqësinë.
Mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjitha sipërmarrjet që operojnë në bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agroindustri mbi bazën e sipërfaqes së mbjellë, prodhimit të dorëzuar dhe numrit të krerëve. Çdo fermer që aplikon për mbështetje në fushat prioritare do përfitojë mbështetje pa kufizim.
Do subvencionohen me 80 përqind normat e interesit të kredive bankare për bujqësi dhe blegtori. Do subvencionohen në masën 75 përqind norma e të gjithë siguracioneve në fshatin shqiptar dhe bujqësinë shqiptare. Do investohet çdo vit jo më pak se 70 milionë euro në sistemin e vaditjes dhe kullimit në mënyrë që të dyfishohet aftësia kulluese e vendit”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




