Politike

Protestë dinamike! Berisha: Në 23 dhjetor bllokojmë totalisht Tiranën, nga Priska deri në Vorë

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD Sali Berisha deklaroi se protesta e paralajmëruar e opozitës në 23 dhjetor do të jetë masive dhe se do të synohet bllokimi i Tiranës nga të gjitha drejtimet.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ai tha ajo do të jetë shumë dinamike duke theksuar se do të marrë pjesë personalisht në këtë mobilizim.

I pyetur për detajet e protestës, Berisha deklaroi se Tirana do të bllokohet nga Qafë Priska deri në Vorë, megjithatë shtoi se detajet e skenarit të saj do të komunikohen sapo të finalizohen.

“Më datën 23 dhjetor, ditën e hënë në ora 17.00, kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë.Mbarë bota mezi pret këtë akt, këtë mosbindje e kanë pëlqyer shumë, kudo në botë. U them unë juve. Se një gjë duhet ta dini. Atë ndihmë që na ka dhënë ne shtypi ndërkombëtar, nuk i dalim borxhit kurrë.

Dhe ta dini që, ka gazetarë të cilët kanë humbur vende për shkrimet që kanë bërë. Janë treguar të mëdhenj. Janë treguar njerëz të lirë, dhe mirënjohja jonë është e pakufishme ndaj tyre. Ndaj dhe, e keni parë ju vet se me ç’pasion i paraqisin mediat e botës protestat tona, sepse janë antidiktaturë, sepse janë për liri. Nuk mund të ndodhtë ndryshe.

Ndaj dhe kjo mosbindje, Tiranën nga Qafë Priska gjer në Vorë duhet ta bllokojmë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet”, deklaroi Berisha.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë