Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i PD Sali Berisha njoftoi se më 23 dhjetor do të mbahet protesta e radhës e opozitës, të cilën ai e ka cilësuar si dita më e fuqishme e mosbindjes civile.
Ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen, në një konferencë për media, ai deklaroi se protesta “duhet të ketë fuqinë e një eletroshoku”.
“Data 23 Dhjetor do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria deri më sot. Modalitetet e kësaj mosbindje civile do të përcaktohen nga grupi përgjegjës, por opozitarët, demokratët nga mbarë Shqipëria e kudo që ndodhen në botë duhet të bashkohen më 23 në një mosbindje civile.
Duhet të ketë fuqinë e elektroshokut për regjimin narkodiktatorial të Ramës”, deklaroi ai.
Berisha gjithashtu hodhi akuza të rënda ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke thënë se pushteti i socialistëve ka varfëruar dhe përzënë shqiptarët.
Kujtojmë se protesta e mëparshme e opozitës ishte në 27 nëntor, ku qindra qytetarë bllokuan rrugët e Tiranës, për të vënë në zbatim të ashtuquajturën mosbindje civile.
Berisha ka premtuar se protestat e opozitës do të vijojnë deri në zgjedhje, ku nga mazhoranca kërkohet vendosja e qeverisë teknike, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.