Politike

Berisha prezanton udhëheqësin e fushatës së Trump: Chris LaCivita do drejtojë fushatën e PD-së për 11 majin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha së bashku me aleatët opozitarë kanë prezantuar sot (10 shkurt) Christopher LaCivita si drejtuesin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 11 majit.

LaCivita ka drejtuar edhe fushatën e presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

“Këtu jam para jush me zotin Chris LaCivita, kryetarin e komitetit kombëtar republikan dhe bashkëkryetarin, bashkëarkitektin e fushatës së rikthimit me votën e lirë më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në të gjithë historinë e njerëzimit,që ishte rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Chris LaCivita dhe zonja Susanne Willis ishin bashkëkryetarë të fushatës më të pabarabartë në historinë e kombit amerikan.

Ata kishin përballë makinerinë propagandistike më gjigante të mashtrimit, manipulimit dhe censurës së mediave kryesore dhe polleve më kryesore të vendit, por pothuajse edhe të planetit, përfshi këtu edhe përpjekjet për përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve në SHBA me metoda terroriste.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, ky ekip arritën që presidenti Trump të fitojë mendjen dhe zemrën e shumicës dërrmuese të qytetarëve amerikanë dhe të shënojë njërën nga fitoret më spektakolare në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Zoti Chris LaCivita është njeriu që pati fatin e madh t’i drejtohet kombit amerikan nga Mar-A-Lago natën e shpalljes së fitores nga presidenti amerikan në krah të këtij të fundit. Koalicioni ynë ka zgjedhur, është i nderuar që kryearkitekti, një nga dy kryeartitektët e fushatës së fitores së datës 11 maj të jetë zoti Chris LaCivita”, tha Berisha.

Gjatë prezantimit të tij, LaCivita u shpreh se duan që kryeministër i Shqipërisë të zgjidhet një mik i SHBA-ve dhe që do të punojë me Donald Trump.

Sipas tij, “Sali Berisha është një mik prej shumë kohësh i SHBA-ve, e dimë që mund të fitojë”.

Ai theksoi se kreu i PD-së, ashtu si Donald Trump, është persekutuar nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë