Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka prezantuar mesditën e sotme koalicionin: “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit, kreu demokrat Sali Berisha e ka cilësuar këtë koalicion të transparencës që përfaqëson sipas tij elitën politike të kombit shqiptar.
Ai gjithashtu e konsideroi atë si koalicionin më të fuqishëm në 32 vite.
“Së bashku me koalicionin më të fuqishëm që Shqipëria ka përjetuar në 32 vite u drejtohem shqiptarëve në një moment historik, moment të cilin ky komb vendos në përpjekjen më epike për t’u ndarë nga diktatura e dytë që kombi përjetoi 34 vite pas përmbysjes së diktaturës së parë.
Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përfaqëson jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar.
Ky koalicion ka të gjithë mendjen, vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë madhështore. Për ta bërë Shqipërinë një vend ku qytetarët e lirë të saj të mos njohin më dhimbjet çnjerëzore të varfërisë ekstreme, ku bijtë të rendin pas ëndrrës shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri. Ky është koalicioni i transparencës, që njohin vlerësojnë shqiptarët, përfaqëson të gjithë interesat, shtresat, komunitetet e ndryshme të këtij kombi”, tha Berisha.
Sipas Berishës ky vit do të jetë viti i diasporës.
“Prej dy muajsh PD dhe aleatët kanë bërë fushatën elektorale më të suksesshëm në historinë e tyre jashtë vendit. Angazhimi i PD dhe aleatëve në fushatë elektorale ka ndezur zemrat e shpresat e tyre ka provuar entuziazëm e vendosmëri të para nga vite ‘90 e sot. Viti 2025 do të quhet viti e diasporës”.
Berisha gjithashtu akuzoi dhe Partinë Socialiste.
“Ne dalim me program, ata dalin me zhapa dhe zhapikë”, tha ai referuar etiketimeve që kryeministri Edi Rama ka bërë karshi opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




