Gazeta Si – Etrit Berisha është rikthyer titullar në Serinë A pas një kohe të gjatë dhe jo në një ndeshje të zakonshme, por ndaj Juventusit. Portieri kuqezi tregoi vlerat e tij në këtë ndeshje, duke pritur një penallti të Vlahoviç, megjithatë nuk mjaftoi, sepse Empoli i tij u mund 0-2.
Danilo shënoi për skuadrën e Alegrit pas një rrëmuje në zonë. Berisha mbajti në lojë Empolin, pasi priti penalltinë e Vlahoviç, ndërsa në pjesën e dytë, 8 minuta para fundit, Kieza dyfishoi shifrat për bardhezinjtë. Berisha doli nga zona për të ndalur sulmuesin italian, por nuk ia arriti qëllimit.

Kristjan Asllani luajti sot 12 minutat e para në këtë kampionat. Interi fitoi 4-0 ndaj Fiorentinës dhe mesfushori kuqezi u fut në fushë në minutën e 78-të, në vend të turkut Çalhanoglu. Në dy ndeshjet e mëparshme ai nuk ishte aktivizuar fare nga trajneri Inzagi.
Interi fitoi me lehtësi ndaj Fiorentinës, me dygolëshin e kapitenit Lautaro Martinez dhe golat e Turam dhe Çalhanoglu me penallti. Ishte fitorja e tretë për zikaltrit, që kryesojnë Serinë A me pikë të plota, por ndryshe nga Milani që gjithashtu ka tre fitore, nuk kanë pësuar asnjë gol.

Mesfushori kuqezi, Ylber Ramadani, luajti titullar sot në fitoren 2-0 të Leçes ndaj Salernitanës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




