Nga Gazeta ‘SI’ – Lideri i opozitës ka paraqitur programin e PD – ASHM për fermerët gjatë një takimi në Dimal, ku premtoi se mbështetja për fermerët do të arrijë në 230 milionë euro.
“Subvencionet për ju do të rriten nga 32 milionë euro në 230 milionë euro! Ky do jetë zotimi solemn i yni për ju”, tha kreu demokrat.
“Fermerë, mjafton t’u them një shifër unë këtu, në qoftë se fermeri në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, merr sot 5 herë më shumë se ju subvencione, ky është një diskriminim dhe ndëshkim për ju. Hapja e tregut iu bën ju të pamundur ju të konkurroni me ata që subvencionohen pesë herë më shumë se ju. Nga 380 mijë fermerë shteti merr taksën e vlerës së shtuar në çdo blerje që ata bëjnë. Paguajnë 20 përqind. Në 380 mijë fermerë që japin 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit, që punësojnë rreth 500 mijë shqiptarë, buxheti i shtetit, miq të dashur, ka lënë këtë vit për fermerin, pa llogaritur ato të administratës që marrin rroga, 32 milionë euro. Ne nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi”, tha kreu demokrat.
Kreu i PD shprehet gjithashtu se çmimet e grumbullimit do rregullohen me borde të përbashkëta, ndërsa fatura e papaguar do mbulohet nga siguracioni. Importi i pesticideve të ndaluara në BE do të cilësohet krim i rëndë dhe do ndëshkohet ashpër. Ai premtoi se fermerët do ta marrin naftën me koston e vërtetë të saj dhe pa barra fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.