Politike

Berisha premtoi shkrirjen e SPAK-ut, Rama: Nuk kanë ç’i bëjnë, nuk do marrin votat më 11 maj! Nga 60 ministra të PS, vetëm 2 janë të dënuar

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në video mesazhin e tij në Facebook, iu përgjigj komenteve të një ndjekësi të tij lidhur me reformën në drejtësi, i cili shkruante se “kryeministri duhet të japë dorëheqjen, pasi nuk ka moral prej atyre që janë në burg.”

Rama përsëriti edhe një herë se reforma në drejtësi është vullnet i Partisë Socialiste dhe tha se sipas tij, PS ka pasur vullnetin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Ndërsa fliste për reformën në drejtësi, Rama tha se ata që duan ta kthejnë përmbys atë, referuar këtu opozitës dhe deklaratës së kreut të PD Sali Berisha i cili tha se nëse do të vijë në pushtet do të shkrije SPAK-un, Rama tha se “po ua dhatë votën do reagojnë duke e shkrirë por natyrisht s’kanë për të marrë votën dhe SPAK-ut nuk kanë çfarë t’i bëjnë”.

Ai u shpreh se gjatë 12 viteve të tij në pushtet janë vetëm 2 ministra të dënuar, një ish-zv.kryeministër në arrati dhe një ministër në paraburgim.

“Dolën të gjitha hajdutë thua ti, por nuk janë kështu disa gjëra që duhet vërtet t’i sqarojmë”, tha Rama.

Më pas shtoi se: “E para në 3 mandate unë kam pasur nga 60 ministra dhe deri më tani 2 ministra të mandatit të parë, yhy nuk mbahet mend, janë dënuar, një tjetër është në paraburgim që mund të ndiqej fare mirë në gjendje të lirë, por nuk është i dënuar dhe një tjetër, ish-zv.kryeministër që ka marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë”.

Më tej ai thekson se në një shtet të tërë përgjegjësia nuk është kolektive, por vetëm individuale, ndërsa moralisht, familja, organizata, partia, vetë qeveria mbajnë përgjegjësi për si reagojnë ndaj rastit. 

Rama nënvizoi se pavarësia e drejtësisë shqiptare u arrit për herë të parë në histori, me mbështetjen e PS, ndërsa “drejtësia evropiane që duam për Shqipërinë 2030” , shtoi ai është “një drejtësi, ku pavarësia nuk kthehet në shqelm ndaj standardeve demokratike, lirive e te drejtave të çdo individi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë