Drejtësia

Berisha përshëndetet nga të burgosurit e 313-ës, pastaj tregon shënimin që i la Altin Dumanit

Gazeta Si – Teksa kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mbante fjalën para SPAK, është përshëndetur nga të burgosurit e burgut 313, godina e të cilës ndodhet ngjitur me atë të Prokurorisë së Posaçme.

Ata kanë dalë në dritare dhe me dy gishtat lart, kanë shprehur mbështetje për liderin demokrat: “O Sali, o hero!”.

Pasi gazetarët ia evidentuan episodin që ndodhi, Berisha i mori në mbrojtje të paraburgosurit, që sipas tij qëndrojnë në qeli pa të drejtë.

Kreu i PD tha se çështjen e tyre e ka ngritur edhe në KE, në takimin e tij me anëtarët e Komitetit të Antitorturës, ndërsa premtoi se për çdo ditë burgu që kanë kryer pa të drejtë, do të paguhen me para nga rrogat e qeveritarëve që i kanë mbajtur aty.

“Në këtë vend ka pushuar së funksionuari prezumimi i pafajësisë. I garantoj se ato ditë burgu që bëjnë pa meritë do tu shpërblehen me rrogat e qeveritarëve që u kanë mbajtur”.

Më pas, Berisha tregoi ndër të tjera se i kishte lënë edhe një shënim Altin Dumanit, ku i shkruan për mbylljen e çështjes së “McGonigal”.

Por aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën, se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës.

Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon  mesazhe Edi Ramës. Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove. Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë”, – tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë