Politike

Berisha përfshin rihapjen e TikTok në listën e premtimeve elektorale: Rama s’është konsultuar me askënd

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përfshirë në listën e premtimeve elektorale edhe rihapjen e rrjetit social TikTok, i cili pas një vendimi të qeverisë do të mbyllet në territorin e Shqipërisë pas disa javësh.

Komentet Berisha i bëri në një deklaratë për mediat, ku tha se kryeministri Edi Rama e mbylli këtë rrjet social, për shkak se sipas tij, PD dominon si në audiencë ashtu edhe në postime kundrejt PS në Tik Tok.

“TikTok është një platformë, e cila nuk prodhon rrugaçëri siç pretendon Edi Rama.

Rrugaçëria në TikTok penetrohet nga të tjerë që i indukton Edi Rama me sjelljet e tij të kryebullistit të vendit. Në qoftë se bullizmi është një fenomen problematik dhe i dënueshëm, kryebullisti dhe kryemizogeni i vendit është Edi Rama. Por informoj se ky akt prej xhelati të fjalës së lirë, sikur të ishte i biri i Sadam Hyseinit apo vëlla i Asadit, ka një arsye strikt karrigen dhe pushtetin e tij.

Sepse në qoftë se manipulon gjerësisht mediat, manipulon gjerësisht sondazhet dhe pollet, nuk manipulon dot TikTokun dhe rrjetet e tjera sociale. Ndaj dhe ai ka shprehur në mbledhjet e brendshme shqetësimin e madh për dominimin e opozitës në këto rrjet”, deklaroi ai.

Berisha tha gjithashtu se me mbylljen e Tik Tok Rama synon të godasë fjalën e lirë të opozitës.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt prej xhelati të fjalës së lirë të narkodiktatorit Edi Rama. Sikundër paralajmërojmë masa të përshkallëzuara kundër censurës dhe mbylljes së kësaj platforme, për të cilën duhet ta njohim këtu, është platforma më e ndjeshme ndaj postimeve me dhunë.

Unë nuk them se kanë anë negative, por elementët që i keqpërdorin, duhen kontrolluar ata dhe jo TikToku, dhe jo FB, Instagrami apo mediat e tjera. Kështu që akti është ekuivalent. Unë nuk di vend tjetër ta ketë ndaluar TikTokun në botë, por sigurisht do e ndjekin edhe diktatorët e tjerë këtë. E dënoj me ashpërsinë më të madhe.

Unë i siguroj gjimnazistët dhe studentët, sepse thotë jam këshilluar me prindërit, le që nuk është këshilluar fare, me prindërit që nuk e përdorin TIkTokun, nuk ke pse këshillohesh. Duhet të këshillohesh me ata që e përdorin, kjo dihet që është pasioni i të rinjve.

 I garantoj të rinjtë se akti i parë pas zgjedhjeve të 11 majit do të jetë hapja përfundimtare e TikTokut dhe ndëshkimi i xhelatit të fjalës së lirë për krim kushtetues. Sepse po shkel nenin 22 të Kushtetutës”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë