Politike

Berisha për Veliajn: Nuk është i pafajshëm por u shkelën procedurat ligjore të arrestimit të tij

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ditën e sotme, komentoi seancën gjyqësore të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën Kushtetuese.

Ai tha se PD mbështet arrestimin dhe dënimin e Veliajt, por shtoi se sipas tij, procedurat ligjore në vend u shkelën.

Duke folur para deputetëve, Berisha iu referua edhe fjalës së ish-kryebashkiakut për një precedent që ai citoi në Kushtetuese për rrëmbimin e një kryetari bashkie në Kolumbi.

“Por një gjë i tha publikut sot Erion Veliaj. Çfarë i tha? Kaq vite më parë, në X qytet të Kolumbisë, FARC-u rrëmbeu kryetarin e bashkisë. Ai bëri paralelizëm që FARC-u më rrëmbeu edhe mua në Bashkinë e Tiranës.

Por, po të kemi parasysh procedurat ligjore të një vendi demokratik, ne nuk mund të themi se ato nuk u shkelën tërësisht njëlloj si ato të FARC-ut. Të themi të vërtetat.

Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, dënimin, etj, por prapë duhet të jemi të drejtë.
Vazhdojmë prapë, pse kjo ngjashmëri me FARC-un. Gjykatëses i thotë se fakti që jam këtu dhe më thirrët është shembull i ligjit, më njohët një të drejtë ligjore, por në Këshillin Bashkiak bënë 9 vendime brenda ditës”, tha ai.

Berisha përgëzoi këshilltarët e PD-së që, sipas tij, mbajtën qëndrim të drejtë dhe kërkuan të dëgjohej Veliaj në sallën e këshillit.

Ai shtoi se Veliaj nuk është as i penduar, as i pafajshëm, por theksoi se procedurat ligjore në një vend demokratik janë themelore për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.

“U bënë 9 vendime brenda ditës, imagjinoni, se si të lani duart me mua, dhe u lumtë këshilltarëve tanë, që ndonëse kishin një armik përballë, por në çdo rast të drejtat e njeriut janë më thelbësoret. Kërkuan me insistim që ai të dëgjohet në sallën e këshillit. Kërkuan me kërkesë të veçantë që ai të sillej, të dëgjohej.

Jo, tha, nuk munda. Pse i solla këto dy shembuj? Jo, aspak se ai është as i penduar, as i pafajshëm. Jo, jo. Por prapë në një vend demokratik, procedura është themelore. Është përcaktuese për të drejtat e njeriut, për shtetin ligjor, për të gjitha.“, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë