Politike

Berisha, për ‘tradhtarët’ e PD: Do japin llogari ata që punuan për PS

Gazeta Si – Sali Berisha deklaron se Partia Demokratike do të bëjë një analizë të thelluar për problematikat e saj, ndërsa shtoi se pati nga ata që shkuan me pushime gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 Majit, apo edhe nga ata që punuan për kundërshtarin politik, PS.

Në konferencën për shtyp, kreu i PD foli për tradhti të brendshme në parti, për të cilët paralajmëroi se do të japin llogari para strukturave.

“Foltorja ka qëllimin e vet, debat të hapur, pa filtra para kamerave me mbështetësit tanë, shënojmë kritikat që bëjnë, në mënyrë që të përmirësohemi, por do ishte jo reale nëse do pretendohej që ne me foltore ne ezaurojmë analizën e punës sonë. Do bëhet në çdo qelizë, nuk jemi parti e gjahut të shtrigave, por as symbyllur s’jemi. Mbaruan zgjedhjet, pati nga ata që kishin marrë rrogën si deputet të PD, të tjerë anëtarë kryesie që shkuan u punësuan, u bënë drejtorë, këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Pati edhe të tjerë që gjatë fushatës elektorale nuk kanë punuar asnjë ditë, pati të tjerë që shkuan me pushime, apo që punuan për PS. Këta do japin llogari, do jenë strukturat që do e përcaktojnë qëndrimin ndaj tyre, do bëjnë të gjitha propozimet, mendimet. Do ketë diskutime, do ia themi njëri-tjetrit gjërat. Ka patur raportime për njerëz që kanë punuar kundër, por është lënë të bëhet analiza”, tha Berisha.

Gjatë konferencës e gazetarët, foli sërish për takimin mes Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit. Ai tha se takimet private nuk dëgjohen, ndërsa zbuloi se kishte pritur në zyrë Alihemetin dhe çfarë i kishte thënë.

“Asnjë takim privat nuk më impresionon, absolutisht. Takimet private nuk dëgjohen. Ndërkohë do të dëgjohet çdo zë brenda forumeve, kjo është detyra ime. Ky është parimi për çdo forcë politike demokratike. Ata që zgjedhin private, bënë zgjedhjen e tyre. Alimehmeti ka kërkuar takim dhe e kam pritur, Ervin Salianji jo. Alimehemti s’ka sjellë asnjë platformë. I kam thënë këtë që po ju them juve, kemi një statut, vullnet”, – theksoi Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin Rama, si kreu i regjimit autoritar të bazuar mbi drogën, i cili përdor prokurorinë si armë politike dhe ka shndërruar zgjedhjet në një farsë elektorale.

“Një ngjarje e re e madhe ka ndodhur në denoncimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Europë. Mbi të gjitha, ky regjim ka ndërtuar në Shqipëri narko-shtetin si kërcënim serioz për sigurinë e rajonit, Europës dhe më gjerë”, tha Berisha.

Ai theksoi se dje, 5 dhjetor 2025 në Uashington, gjatë forumit të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, ku marrin pjesë rreth 80 parti politike të djathta dhe të qendrës së djathtë nga e gjithë bota, është miratuar në unanimitet rezoluta kushtuar Shqipërisë.

“Kjo është rezoluta e shtatë ndërkombëtare në 14 muaj, që mbështet opozitën shqiptare dhe popullin shqiptar nën një narko-regjim, pra një diktaturë autoritare”, shtoi kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë